Ballina Ekonomia Sipërmarrësi që ka sjellë industrinë e mikroalgave në Shqipëri, synon zgjerimin në...

Sipërmarrësi që ka sjellë industrinë e mikroalgave në Shqipëri, synon zgjerimin në 100 hektarë

22
0

Sipërmarrësi Fran Palokaj po zhvillon në Shqipëri një nga nismat më inovative në sektorin agro-teknologjik, krijimin e një industrie të mikroalgave, me synimin për të ndërtuar deri në 100 hektarë kapacitete prodhuese.

Palokaj, shqiptar i Kosovës dhe banues prej vitit 1986 në Holandë, ka ndërmarrë tre vite më parë iniciativën për të zhvilluar biznesin e tij në Shqipëri, duke investuar në kultivimin dhe përpunimin e mikroalgave, një industri e re, që po konsiderohet e rëndësishme për të ardhmen e bujqësisë dhe ushqimit në nivel global.

Në episodin e 9 të podkastit “Flasim” – “Minierat e ujit”, të kryeministrit Edi Rama, Palokaj shpjegoi se ideja për këtë projekt lindi pas reformave europiane të vitit 2008, kur prodhimi i proteinave dhe acideve yndyrore omega me origjinë bimore u shndërruan në prioritete strategjike për bujqësinë moderne.

Ai identifikoi mikroalgen si “bimën e së ardhmes”, falë aftësisë së saj për të prodhuar proteina, lipide dhe karbohidrate, duke shfrytëzuar CO₂ nga ajri dhe pa krijuar mbetje apo dëmtim të tokës.

Aktualisht, kompania e tij ka ngritur kapacitetet e para prodhuese në Sukth dhe ka nisur aplikimin e algave në produkte ushqimore e kozmetike.

Produktet janë prezantuar në panaire ndërkombëtare në Lushnjë dhe Berlin, si dhe janë integruar në ushqime të përditshme si buka, pije e në produkte farmaceutike.

Palokaj thekson se mikroalga është e qëndrueshme, nuk kërkon tokë pjellore, nuk dëmtohet nga kushtet atmosferike dhe ka vlera të larta nutritive.

Ai nënvizon se klima shqiptare është ideale për kultivimin e mikroalgave.

Ai rrëfen me krenari se i gjithë procesi i ndërtimit dhe operimit të fermës së tij, është realizuar nga specialistë vendas, mekanikë dhe elektriçistë.

Në fazën e dytë të projektit parashikohet ndërtimi i 4 hektarëve sipërfaqe kultivimi, ndërsa objektivi afatgjatë është arritja në 100 hektarë, çka sipas tij do të shënonte “lindjen e industrisë së mikroalgave në Shqipëri”.

Palokaj shprehet se tregu europian, me mbi 700-800 milionë konsumatorë, paraqet potencial të madh dhe se kërkesa për produkte ushqimore me pak pesticide dhe vlera të shtuara nutritive është në rritje.

Aktualisht kompania punon edhe me përpunues në Hungari dhe Maqedoninë e Veriut, me synimin që prodhimi të zgjerohet e më pas të përpunohet tërësisht në Shqipëri sapo kapacitetet të rriten.

Gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, Palokaj theksoi nevojën për krijimin e një grupi ekspertësh në Shqipëri për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori të ri.

Projekti i Palokajt vlerësohet si pjesë e ekonomisë blu, një qasje që Komisioni Europian e ka theksuar si prioritet të zhvillimit të qëndrueshëm, dhe pritet të ndikojë pozitivisht në inovacionin bujqësor dhe ushqimor në Shqipëri.