Donald Trump mund të tërhiqet nga përpjekjet për të ndaluar luftën në Ukrainë, sipas deklaratave që djali i tij i madh dha në një konferencë mbi Lindjen e Mesme.
Donald Trump Jr., megjithëse nuk mban asnjë rol zyrtar në administratën e babait të tij, mbetet një figurë qendrore në lëvizjen MAGA (Make America Great Again) dhe komentet e tij pasqyrojnë kundërshtimin e disa anëtarëve të ekipit Trump ndaj qeverisë ukrainase.
Trump Jr. sulmoi politikën ukrainase, duke thënë se ukrainasit e pasur “të korruptuar” e kishin braktisur vendin dhe e kishin lënë “klasën fshatare” të luftonte. Ai gjithashtu akuzoi Volodymyr Zelenskyn për vazhdimin e luftës për të shmangur humbjen në zgjedhjet e ardhshme, duke argumentuar se njohja e tij e vazhdueshme nga e majta e bën atë pothuajse një “zot”, ndërsa vendi i tij është “shumë më i korruptuar se Rusia”.
Ai gjithashtu kritikoi shefen e politikës së jashtme të BE-së Kaia Kallas për sanksionet kundër Rusisë, të cilat ai tha se kishin rritur çmimet e naftës dhe i kishin lejuar Rusisë të financonte luftën. “Strategjia europiane është të presë që Rusia të falimentojë, ky nuk është një plan”, tha ai.
Duke iu referuar fushatës zgjedhore të vitit 2022, Trump Jr. pohoi se vetëm tre persona e konsideronin luftën në Ukrainë një çështje të madhe. Ai këmbënguli se fluksi i drogës nga Venezuela është një “problem më i menjëhershëm dhe i rrezikshëm” për Shtetet e Bashkuara sesa lufta në Ukrainë apo Rusi.
Ai gjithashtu pohoi se këtë verë në Monako vuri re se 50% e makinave luksoze, si Bugatti dhe Ferrari, kishin targa ukrainase. “A mendoni se këto makina u fituan në Ukrainë?” pyeti ai.
Kur u pyet nëse ishte e mundur që babai i tij, i cili kandidoi për president duke pretenduar se mund të sillte paqe në Ukrainë, thjesht të tërhiqej nga zgjidhja e luftës, Trump Jr. tha po, duke shtuar se babai i tij është një nga njerëzit më të paparashikueshëm në politikë.
Ai theksoi se SHBA-të nuk do të ishin më “idioti me bllok çeku” kur bëhej fjalë për ndihmën financiare për Ukrainën.



