Ballina Kulturë Arkeologët zbulojnë një anije luksoze nga Egjipti i lashtë

Arkeologët zbulojnë një anije luksoze nga Egjipti i lashtë

19
0

Një ekip arkeologësh ka zbuluar një anije luksoze nga Egjipti i lashtë pranë brigjeve të Aleksandrisë, që përputhet me përshkrimin e një historiani grek të shekullit të parë, raporton sot The Guardian.

Anija e zbuluar është 35 metra e gjatë dhe është ndërtuar për të mbajtur një pavijon qendror me një kabinë të dekoruar luksozisht.

Një ekip arkeologësh nga Instituti Evropian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM), i udhëhequr nga profesori i Universitetit të Oksfordit, Frank Goddy, e gjetën anijen në ujërat pranë ishullit të fundosur të Antirhodos, i cili ishte pjesë e portit të lashtë të Aleksandrisë.

Historiani grek Strabo vizitoi qytetin dhe përshkroi anije luksoze si kjo, duke deklaruar se ato ishin të destinuara për ekskursione nga anëtarët e oborrit mbretëror, si dhe për grupe njerëzish që udhëtonin nga Aleksandria në festivale dhe festime të ndryshme. Siç e përshkroi historiani, këto anije ishin plot me njerëz si ditën ashtu edhe natën, dhe kishte muzikë dhe valle pa limit.

“Kjo është jashtëzakonisht emocionuese pasi një anije e tillë u zbulua për herë të parë në Egjipt. Këto anije përmenden nga autorë të ndryshëm të lashtë, ato përfaqësohen edhe në disa mozaikë, por zakonisht ishin shumë më të vogla”, tha Godio.

Zyrtari i Institutit, Damien Robinson, tha gjithashtu se ky lloj anijeje nuk është gjetur kurrë më parë.

Anija e mbytur do të mbetet në shtratin e detit dhe, siç tha Godio, rregulloret e UNESCO-s do të respektohen, pasi organizata beson se mbetje të tilla është më mirë të lihen nën ujë.

Deri më tani, vetëm një pjesë shumë e vogël e kësaj zone është eksploruar dhe gërmimet nënujore pritet të vazhdojnë, sipas Guardian.