Ballina Kosovë Isa Mustafa pret ndryshim të rezultatit zgjedhor më 28 dhjetor

Isa Mustafa pret ndryshim të rezultatit zgjedhor më 28 dhjetor

24
0

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar listat zgjedhore të partive politike, duke thënë se një pjesë të madhe të kandidatëve nuk e njeh personalisht.

Mustafa theksoi se përgjegjësia për përzgjedhjen e tyre u takon vetë partive që i kanë propozuar, ndërsa ai nuk ka dashur të jepte vlerësime të mëtejshme për emrat e rinj në listë.

“Listat për deputet nuk mund t’i komentoj, sepse një numër të madh të kandidatëve nuk e njoh. Sigurisht se i njohin ose do duhej t’i njohin subjektet që i kanë propozuar.”, ka thënë ai në një prononcim për io.

Ndërkohë, Mustafa pret që rezultatet zgjedhore të sjellin ndryshime pas periudhës së gjatë të bllokadës politike, duke parë votën e qytetarëve si mundësi për stabilizimin institucional dhe orientim të ri për vendin.

“Ndryshime në rezultate, pas gati një vit bllokade, do duhej të ketë. Ndryshimet i shoh si reflektim të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote, për ta stabilizuar vendin dhe për ta vënë në binarë normalë të zhvillimit ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe integrimit euroatlantik, në këtë kohë kur ka ndryshime globale shumë dinamike”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë të rikthehet në binarët normalë në shumë sektorë, sidomos në një periudhë me zhvillime globale të shpejta.