Ballina Sport Klubi i madh arab në sulm për Salah

Klubi i madh arab në sulm për Salah

19
0

Klubi saudit Al-Hilal raportohet se është gati të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e yllit të Liverpool-it, Mohamed Salah, gjatë afatit kalimtar të janarit.

E ardhmja e sulmuesit egjiptian është vënë në pikëpyetje pas incidentit të fundjavës, kur Salah u la në stol në ndeshjen ndaj Leeds United në Elland Road.

Pas ndeshjes, ai ka folur për mediat britanike duke deklaruar se “dikush brenda klubit po dëshiron ta largojë”, si dhe ka pranuar se nuk ka “asnjë marrëdhënie” me trajnerin Arne Slot.

Sipas “The Mirror”, Al-Hilal po e sheh situatën e tensionuar në ‘Anfield’ si mundësi për të siguruar një marrëveshje shumë më të favorshme. Klubi saudit kishte tentuar të merrte Salah 18 muaj më parë me një ofertë rreth 150 milionë funtesh, por këtë herë besohet se ata mund ta sigurojnë transferimin për më pak se gjysmën e kësaj shume.

Madje, siç raportohet, Salah mund ta ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit për Liverpool-in. Trajneri Slot pritet të mos e përfshijë atë as në duelin e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milanit, e as në ndeshjen e Premier Ligës ndaj Brightonit.

Kjo vjen pak para se futbollisti të bashkohet me kombëtaren e Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës që mbahet në Marok javën e ardhshme.

E ardhmja e Salah mbetet e pasigurt, ndërsa Liverpooli përballet me presion në rritje për menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e stabilitetit brenda skuadrës.