Ballina Politika ‘Xhamisë së Beqarëve i hiqet minarja’/ PD akuza bashkisë dhe qeverisë për...

‘Xhamisë së Beqarëve i hiqet minarja’/ PD akuza bashkisë dhe qeverisë për falsifikim të historisë

11
0

Partia Demokratike, Dega Berat, ka reaguar ashpër ndaj një vepre arti të dhuruar Ambasadorit Italian nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, dhe kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca. Sipas PD-së, në këtë vepër paraqitet Xhamia e Beqarëve pa minaren e saj, çka përbën një shtrembërim të vlerave historike, kulturore dhe fetare të qytetit.

PD kërkon që Demo dhe Ceca të kërkojnë falje dhe të distancohen nga ky veprim, duke theksuar se Berati, si pjesë e trashëgimisë UNESCO, është simbol i bashkëjetesës shembullore fetare.

Opozita lokale njofton gjithashtu se do t’i kërkojë Këshillit Bashkiak miratimin e një rezolute për dënimin e kësaj ngjarjeje dhe urdhërimin e sekuestrimit të të gjitha veprave të ngjashme që “shtrembërojnë historinë”.

“Berati është i vlerave dhe jo i provokatorëve”, përfundon deklarata për shtyp e PD-së, Dega Berat.

Deklarata e plotë:

Në emër të Partisë Demokratike, Dega Berat, jemi mbledhur sot të dënojmë aktin e papërgjegjshëm të shtrembërimit të vlerave kulturore, fetare dhe historike të Beratit, nga ana e përfaqësuesve të lartë të qeverisë dhe pushtetit vendor socialist.

Kjo ngjarje bëhet edhe më e rëndë, kur është vetë ministri i pushtetit vendor, Ervin Demo, si dhe zgjatimi i tij në Bashkinë Berat, Ervin Ceca, që i japin Ambasadorit Italian një vepër arti që “përfaqëson” Beratin, ku shihet qartë se Xhamia historike e Beqarëve paraqitet pa minaren e saj, simbol të besimit në Zot!
Kjo nuk është thjesht injorancë, por një akt provokues që cenon rëndë vlerat tona të bashkëjetesës fetare, vlerat tona historike dhe kulturore!

U kërkojmë të dy përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Ervin Demos dhe Ervin Cecos, të kërkojnë ndjesë dhe të distancohen nga kjo ngjarje provokuese.
Duam t’ju kujtojmë atyre, por edhe gjithë të tjerëve, se Berati, përveç vlerave të padiskutueshme historike, është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pikërisht për këto vlera të bashkëjetesës shembullore ndërfetare!

Duam gjithashtu t’ju bëjmë me dije se do t’i kërkojmë zyrtarisht Këshillit Bashkiak të Beratit të dënojë këtë ngjarje me anë të një rezolute të përbashkët të të gjithë këshilltarëve, si dhe të autorizojë Policinë Bashkiake të gjejë dhe sekuestrojë të gjitha këto të ashtuquajtura vepra arti në qytet, sepse ka shumë prej tyre që shtrembërojnë historinë dhe ofendojnë të gjithë qytetarët e Beratit.

Shpresojmë që të gjithë këshilltarët bashkiakë do t’i bashkohen nismës tonë!

Berati është i vlerave dhe jo i provokatorëve!

Faleminderit!