Ballina Dossier Demonstratat e ‘68-tës, lëkundën themelet e jugosllavisë hibride

Demonstratat e ‘68-tës, lëkundën themelet e jugosllavisë hibride

47
0

Nga Rexhep Ferizi 

Lëkundjet e para nisën në Prizrenin historik, aty te vendi ku ndodhi historia e themelimit të shtetit shqiptar, 1878. Aty ku para 90 vjetësh u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit; aty ku burrat atdhetarë të Toskërisë dhe burrat atdhetarë të Gegërisë, nisën Kuvendin dhe lëshuan kushtrimin për luftën e shenjtë, për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga invazioni serbo-malazezo-bullgar me miratimin e Evropës.

Brezi i ’68-tës i Lëvizjes studentore në Kosovë, me qendrat në Prizren, e çoi përpara procesin politik për Kosovën Republikë dhe vetëvendosje. Demonstratën e organizoi dhe e realizoi Grupi i studentëve atdhetarë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha, ishte bërthama e organizimit në Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, me 6 tetor, në Therandë (Suharekë) me 8 tetor, përgjegjës Haxhi Bajraktari, dhe në Pejë, me 19 tetor, përgjegjës Zymer Neziri.

Për demonstratat e vitit 1968 është folur dhe shkruar jo pak. Me rastin e 50 -vjetorit, në Pejë, është organizuar Akademi Përkujtimore, me pjesëmarrje në nivel Kosove.

Ngjarjet historike të vitit 1968 sinjalizuan një epokë të re, për shqiptarët e Kosovës dhe gjithandej trojeve shqiptare të Maqedonisë, Luginës së Preshevës, më sakte, Kosovës Lindore, Pazarit të Ri dhe Malit të Zi e më gjerë.

Demonstratat e tetorit dhe nëntorit 1968 në Kosovë arritën kthesën e madhe historike. Ato erdhën në momentin dhe kohën më qenësore që gjallëruan fatin, ëndrrat e aspiratat e kamotshme, për themelimin e Republikës së Kosovës. Ato erdhën si rrjedhojë e vuajtjeve dhe pakënaqësive të grumbulluara ndër vite e dekada. Në to reflektoi shpirti i entuziazmuar i shqiptarëve të Kosovës dhe gjithandej shqiptarëve të Federatës Jugosllave.

Demonstratat e vjeshtës së vitit 1968 lëkundën themelet e Federatës Jugosllave. Ato bënë bujë në Jugosllavinë e Titos dhe gjithandej Evropës e përtej, deri në Amerikën e largët. Ato sollën ndryshime dhe përfitime të shpejta, “favorizuan fatin tonë politikë, ato quan Kosovën në proces të avancimit, deri te ndërrimi i Kushtetutës dhe Kosova u bë element konstituiv i Federatës Jugosllave”, e jo vetëm kaq, Kosova u bë me Universitet, me Akademi të Shkencave dhe Arteve, u hapen shkolla të mesme të të gjitha profileve, u lejua përdorimi i flamurit kombëtar, u zyrtarizua përdorimi i gjuhës së unisuar kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare në shtetin Jugosllav. Çdo gjë nisi për së mbari, si në ndërtimin e infrastrukturës dhe hapjen e vendeve të punës, u hoq perdja e hekurt mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nga Shqipëria erdhën kuadro profesorësh, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët i mungonin shkollimit superior të Kosovës.

Mjetet e informimit, “Radio Prishtina”, si dhe revistat: “Rilindja”, “Jeta e re”, “Zani i Rinisë” etj., thyen tabunë e censurës, filluan të botohen shkrime historike, përfshirë edhe ato të historianëve nga Shqipëria. Ndërsa gazeta “Rilindja” në fokus kishte shkrimet mbi veprën dhe jetën e kryetrimit tonë shqiptar Skënderbeut, për rilindasit, shkrimtarët dhe figurat e shquara të historisë shqiptare.

Kontributi i shkollës normale “Ali Kelmendi”, demonstratat e 19 tetorit 1968 në Pejë

Pas rënies së ministrit të brendshëm, kriminelit, Aleksandër Rankoviç dhe klikës së tij, në verën e vitit 1966, u krijuan mundësitë për reformimin e arsimit dhe hapjen e shkollave të reja shqipe në tërë territorin e Kosovës. Si rezultat i kësaj, në vjeshtën e vitit 1966, u pavarësua Shkolla Normale, që deri atëherë zhvillohej në kuadër të Gjimnazit “11 Maji” në Pejë dhe u zhvendos në Kompleksin e Tokës Bujqësore në Vitomiricë të Pejës. Dhe si sihariq, mori emrin e heroit kombëtar Ali Kelmendi (1900-1939). Në këtë vatër të arsimit u punësuan kuadro adekuate, profesorë që lanë gjurmë në ngritjen e vetëdijes profesionale e kombëtare, si: magjistër Riza Brada, Bajram Ahmetgjekaj, vëllezërit Sadri e Avdi Kelmendi, Mehdi Bajri, Negihane Basha, Gëzim Basha, Muhamet Berisha, etj. Mes tyre u punësuan edhe tre kolos të ndërgjegjes kombëtare, si i madhi Rexhep Podrimaj, Ali Hasku, Avni Lama si dhe juristi sekretari i shkollës, Avni Gjakova, pas kalimit të tyre nëpër vuajtje e persekutime të njëpasnjëshme në burgje e kazamate serbo-komuniste.

Atëbotë, shkolla normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë të Pejës, u shndërrua në tempull të arsimimit dhe edukimit e të vetëdijes kombëtare. Ata ishin rilindas të vërtetë. Ata do të kujtohen për vlerat e tyre të jashtëzakonshme atdhetare. Ata ishin shtytës, frymëzues në ngritjen e vetëdijes kombëtare, deri në flijim, ishin mendjendritur në rrugën tonë, që na shpiu drejt revoltës dhe prosperitetit. Ata ngritën zërin kundër dramës tragjike që përjetonte populli shqiptar, kundër të gjitha atyre padrejtësive që bënte regjimi i egër serb në Kosovë e gjithandej trojeve shqiptare në ish Jugosllavi.

Shkolla normale “Ali Kelmendi” në Vitomiricë të Pejës, me punën e vet shumë vjeçare edukativo-arsimore, hapi rrugën e dritës e të diturisë për Pejën me rrethinë, si vatër e arsimimit. Gjenerata të tëra dolën nga ky tempull i dijës, të cilat u shpërndanë anë e kënd Kosovës, nga Peja në rrafshin e Dukagjinit, deri në Dragash, si dhe nga Peja në rrafshin e Kosovës, në Mitrovicë e deri në Kaçanik. Nga ky tempull i dijës një mori nxënësish, vazhduan studimet në Universitetin e Prishtinës dhe dolën kuadro të profileve të ndryshme: mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, profesor e doktor shkencash nga lëmi të ndryshme, që lanë gjurmë me punën e tyre anë e kënd Kosovës e më gjerë.

Kontributi i qytetarëve të Pejës me rrethinë në demonstratat e 68-tës në Pejë

Nuk harrohet kontributi i madh i qytetarëve anë e kënd Pejës me rrethinë. Isa Demaj, që veproi edhe në themelimin e grupit të Pejës. Zejtarët: Rexhep Berisha e Ali Azem Lajçi, me nxënësen Emine Neziri, kanë përgatitur tërë natën shenja identifikuese, kuq e zi, kurse Murat Gorani e pranoi detyrën dhe e solli në Pejë, flamurin nga Prizreni. S’duhet harruar kontributin e studentit, Riza Smaka.

Ndihmë të madhe dha brezi: Remzi Baloku, Ramadan Shala, Ymer Neziri, Nezir Gashi, Murteza Nura, si dhe brezi para tyre: Mulla Zekë Bërdynaj, Haxhi Zekë Biberi, Sami Peja, etj.

Brezi i 68-tës i demonstratave shënoi fillimin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe njëherit viti 1968 dallohet si viti i ngritjes të vetëdijes kombëtare për çlirim. Dhe, me plot të drejtë quhet hallkë historike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar.

Sot ende më kujtohen ato ngjarje dhe zgjojnë në mua ndjenjën e krenarisë, që edhe unë pata fatin të jem pjesë e këtyre ngjarjeve, të cilat nuk harrohen kurrë, të jem pjesë e një historie, që shënon fillimin e fundit të një Jugosllavie hibride. Ato vite ishin të zjarrta që mu ngjizën në shpirt e mendje, ku dufi rinor ia thoshte këngës, nën tingujt e mandolinave dhe kitarave, ku buçiste zëri i ëmbël i Avni Hasajt, Binak Goçit, që të dy lanë gjurmë në Radio Televizionin e Prishtinës e më gjerë.

Si lindi ideja për organizimin e demonstratave të 19 tetorit në Pejë?

Ideja për organizimin e demonstratave të 19 tetorit 1968 në Pejë erdhi nga tre ish nxënësit e Shkollës Normale, më vonë “Ali Kelmendi”: Zymer Nezirit, Xhamail Gashit dhe Ramadan Blakajt, atëbotë studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren.

Me 17 tetor, ditë e enjte, sa kishte përfunduar ora e gjashtë mësimore e ndërrimit të parë, me të dalë nga klasa V-6, në korridor u takova me tre shokët që ishim edhe miq të mirë me njëri tjetrin: Miftar Tishukun, Demë Mulliqin dhe Sadik Binakajn. Pasi u përshëndetëm, Miftari mu drejtua, “Rexhep, ne, të katërtit kemi një punë me rëndësi, dha shenjë të futemi në kl.V-3. Koha nuk na premtonte, në dispozicion kishim pesëmbëdhjetë minuta. Pa humbur kohë, Miftari shpalosi qëllimin e takimit: “Unë para pak çasteve u ndava me tre ish nxënësit e shkollës sonë: Zymer Nezirin, Xhemail Gashin dhe Ramadan Blakajn, që janë të njohur edhe për ju.

Ata ma shprehen dëshirën që do të ishte mirë të organizohen demonstratat edhe në Pejë, pas atyre që u mbajtën në Prizren dhe Suharekë. “Unë jam plotësisht me propozimin e tyre, andaj erdha të diskutojmë se si t’ia bëjmë”. Ne u dakorduam pa hezitim me Miftarin dhe propozimin e tre djemve të lartpërmendur, meqë e dinim se ata ishin pa fije dyshimi djem të fjalës dhe të guximshëm. Me kaq përfunduam atë ditë. E lamë që të takohemi të nesërmen pas orëve të mësimit. Para se të ndaheshim, vendosëm që për të gjitha çka biseduam të mbetën mes nesh.

Të nesërmen me 18 tetor, në ditën e premte, u dakorduam me hartimin e planit të rrjedhjes të demonstratave. U njoftuam me obligimet dhe detyrat. Zymer Neziri kishte për detyrë të angazhohet me nxënësit e Gjimnazit “11 Maji”. Xhemail Gashi ishte i angazhuar të punonte me shkollën normale “Ali Kelmendi”. Ndërsa Ramadan Blakaj ishte i angazhuar të punonte me nxënësit e Shkollës Ekonomike. Ndërsa tekstin e hartuar nga Zymer Neziri vendosëm ta lexonte Sylë Kuçi, nxënës i klasës së V-të. Syla ishte djalë i zgjuar dhe i guximshëm, dhe që atëherë në shpirt e kishte talentin e aktorit. Edhe ne, organizatorët e brendshëm u angazhuam me detyrat tona, i caktuam kujdestarët në numër goxha të madh, për ta mbajtur rendin gjatë marshimit. I caktuam vëzhguesit që të jenë vigjilentë, që ta përcjellin situatën, që mos rastësisht të futet ndonjë element i porositur në turmën e demonstruesve, për t’i dhënë një kahje krejtësisht tjetër. Ne ishim të bindur se gjithsesi do të na arrestojnë njerëzit e Sigurimit Shtetëror. Unanimisht u betuam që ideatorët e organizimit të demonstratave të mbeten të panjohur për ne, që ishin: Zymeri, Xhamajli dhe Ramadani.

Ne ishim këmbëngulës në rrugën tonë, si lumi në rrjedhën e vet

Tetor 1968, ditë e shtunë, ora e paradites po shkonte në tetë e dyzetë, oborri i shkollës normale “Ali Kelmendi” ishte mbushur me nxënës si asnjëherë më parë. Nxënësve të shkollës sonë iu bashkëngjitën nxënësit e Shkollës Bujqësore, që kishim një oborr të përbashkët. Në ato çaste prisnim momentin e nisjes drejt qytetit të Pejës. Ishte ditë me diell si të ishte kohë vere. Ne filluam të këndonim këngë, që më së shpeshti dëgjoheshin në atë kohë, këngë së cilave ia thoshim të gjithë, e më së shumti dëgjohej zëri i Avni Hasajt dhe Binak Goçit. Ndërkohë që kënga jonë vazhdonte të jehonte në oborr, zilja na ftonte të hynim brenda. Por atë ditë mësimi nuk ishte në agjendën tonë.

Ne prisnim të shfaqej para nesh drama madhështore e flamurit tonë kombëtar. Nuk vonoi shumë erdhi çasti kur Demë Mulliqi u shfaq para nesh me flamur në dorë. Turma filloi me brohoritje të fuqishme që morën dhenë gjithandej Vitomiricës e lagjeve në lindje të Pejës. Në oborrin e shkollës qëndronte nxënësja e vitit të katërt, Myzaqete Gocka, e veshur kuq e zi. Të gjithë tok, me flamur në ballë, të rreshtuar për pesë, me simbole kuq e zi në gjoks, me dinjitet e krenari, me brohoritje, slogane e këngë që nuk ndalonin për asnjë çast, vajtëm në oborrin e Gjimnazit “11 Maji” të Pejës, me qëllim që të na bashkoheshin nxënësit e kësaj shkolle. Aty ndodhi diçka që s`e prisnim. Në oborr nuk ishte as edhe një nxënës. Si dukej drejtoria e Gjimnazit ishte urdhëruar t’i mbyllte nxënësit brenda. Por, megjithatë dhjetëra nxënës u hodhën nga kati i dytë dhe na u bashkëngjitën.

Në ndërkohë ia behën disa njerëz të strukturave politike komunale, mes tyre kishte edhe punëtorë të sigurimit shtetëror. Mes tyre dhe grupit organizativ plasi sherri. Ata insistonin që të shpërndaheshim. Ne ishim të pathyeshëm në qëndrimet tona. Ata u tërhoqën, ndërsa ne vazhduam drejt qendrës së qytetit, ku kishim planifikuar t’i paraqisnim kërkesat tona. Gjatë rrugës për në shesh, turma gjithnjë shtohej me qytetarë, atdhedashës të Pejës. Sheshi u stërmbushë me të rinj e të reja, me qytetarë e tregtarë. Dëgjoheshin brohoritje për flamurin kombëtar, për Kosovën Republikë, për Kushtetutë e vetëvendosje, për Universitetin e Prishtinës, për lirinë që se kishim, e shumë e shumë parulla tjera.

Përballë komunës, ngjitur me të ishte një kioskë e gazetës “Borba” të Beogradit, së pari, sipër saj ngjitëm Sadik Blakajn, pastaj Demë Mulliqin me flamur dhe Sylë Kuqin që e kishte marrë për obligim ta lexonte tekstin e hartuar nga Zymer Neziri. Gjatë kohës sa po lexonte kërkesat Sylë Kuqi, për një çast mbretëroi heshtja e të pranishmëve në shesh. Heshtja thyhej herë pas here kur shpërthente uragani i mijëra njerëzve në shesh, Syla ndalonte, prapë vazhdonte, emocionet ishin të zjarrta. Afër meje, poshtë kioskut kishte njerëz të moshuar, në sytë e tyre nuk ndalonin lotët. Ato momente më kanë ngelur në kujtesë që s’i ka mjegulluar kurrë koha ndër vite e dekada.

Pas leximit të kërkesave në shesh, u acarua situata, Xhemail Gashi mu drejtua: “Ti, Rexhep, merre flamurin, nuk guxojmë t’i lejojmë të na marrin ata të Sigurimit”. Me flamur në dorë, të ngritur lartë, vijuam marshutën poshtë qytetit, nëpër Shatërvan, Qarshi të Gjatë, Qarshi Xhamia, kah Sekretariati i Punëve të Brendshme, drejt tregut të gjelbër, te stacioni i trenit, ku turma filloi të shpërndahej. Dhe, aty flamurin ia dorëzova Xhemail Gashit.

Për mbarëvajtjen e marshimit të demonstratës ishin caktuar kujdestarë: Skender Tafaj, Hasan Islami, Mustafë Vishaj, Arif Rizaj, Hajrije Ahmetxhekaj, vëllezërit Binak e Rexhep Avdimetaj, Shefqet Nitaj, Jashar Vishaj e tjerë.

Në mbrojtje të flamurit ishin: Zymer Neziri, Xhemajl Gashi, vëllezërit Ramadan e Sadik Blakaj, Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Rexhep Ferizi, Sadik Binakaj, Sylë Kuqi, Selim Nikçi, Ukë Kelmendi, Rexhep Kastrati, Ukë Sylaj, Avdyl Alaj, Hysni Sylaj. Kujdestarët vëzhgues ishin: Hasan Maksutaj, Demë Osmani, Nurije Dashi, Bajram Binakaj, Ibrahim Shoshi, Muharrem Likaj e tjerë.

Arrestimet e demonstruesve

Më 21 tetor 1968, ditën e hënë, mësimi u zhvillua normalisht në shkollën tonë. Atë ditë u përhap lajmi për arrestimin e tre organizatorëve të jashtëm të demonstratave të 19 tetorit ’68 në Pejë. Sipas të dhënave, arrestimet kishin filluar në pasditen e së shtunës, më 19 tetor, me arrestimin e Ramadan Blakajt, i cili u dënua me 15 ditë burg. Të nesërmen, më 20 tetor, paradite ishin arrestuar: Zymer Neziri dhe Xhemail Gashi, të cilët u dënuan me nga 30 ditë burg. Që të tre studentë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. Njëkohësisht, ditën e hënë, u hap lajmi, se një numër i madh nxënësish të shkollës sonë u thirrën në biseda informative, nga organet e Sigurimit të Punëve të Brendshme në Pejë.

Më 21 tetor, pas përfundimit të orës të gjashtë, edukatë fizike, u ktheva në lokalet e shkollës. Në katin e parë e takova, Ajete Hasajn, nxënëse e klasës së IV/4. Ajo më njoftoi se dy agjentë të Sigurimit, më kishin kërkuar. Pa humbur kohë u ngjita në katin e dytë, e njoftova Sadik Binakun, bashkë me të nxituam në drejtim të Deçanit.

Në mbrëmjen e 21 tetorit u arrestuam, unë e Sadik Binakaj. Ajo natë e errët, jeton ende në kujtesën time!

Në rrugë e sipër për në SPB të Pejës, mbretëronte heshtja. Diku në mes të rrugës, heshtjen e theu inspektori që ishte ulur në ulësen e parë, përballë me policin vozitës: “Ju djema duhet ta dini një gjë, shokët e juaj kanë pranuar çdo gjë, andaj, ju duhet të jeni të vetëdijshëm, mos e mundoni vetën, përndryshe do të përdoren mekanizma të tjerë, që do të jenë të sikletshme për ju”. Këtë sugjerim dhe kërcënim e shprehi në gjuhën shqipe. Ne na la përshtypjen, se ai ishte shqiptar, por më vonë, mësuam se ai ishte malazez dhe emrin e kishte Angjelko. Po sa arritëm në lokalet e SPB-së, ne na ndanë. Mua më shoqëroi një polic deri te dhoma e inspektorit hetues.

Përballja me inspektorin hetues

Procedura fillimisht nisi me pyetje dhe përgjigje të njëpasnjëshme, që kishin të bënin me organizimin e demonstratave, si dhe kush ishin organizatorët e jashtëm të demonstratave të 19 tetorit ’68 në Pejë, dhe doli jashtë. Qëllimi thelbësor i inspektorit hetues ishte, kush ishin organizatorët e jashtëm. Kjo punë nuk ngeli me kaq. Pas një pauze dy orësh, inspektori u kthye në dhomë, tani me një strategji tjetër. M’i lëshoi përpara dy fletë të bardha dhe më rekomandoi të shkruaj deklaratë me shkrim, për ecurinë e demonstratave, si dhe kush ishin organizatorët e jashtëm dhe me nxitim doli jashtë, për një kohë mjaft të gjatë. Po sa u kthye e lexoi deklaratën dhe me një nervozizëm më tha: “Ti djalosh duhesh të jesh më konkret, duhesh t’i shkruash organizatorët e jashtëm, e jo emrat e shokëve të tu. Me nxitim m’i lëshoi edhe dy fletë përpara dhe më rekomandoi t’i shkruaj emrat e organizatorëve të jashtëm. Unë deklaratën e dytë e shkrova identike me të parën. Në ndërkohë, derën e hapi një serb, me rrapëllimë, më tha: “Jel si ovde” (A je këtu), unë nuk fola asgjë. Dihet qartë se me çfarë prapavije e bëri këtë!

Inspektori, pas një kohe të gjatë erdhi në dhomë, po sa e lexoi deklaratën, me një nervozë të madhe, mu kthye: “Merri këto fletë e shkruaje të vërtetën e t’i japim fund kësaj pune”. Në atë rast, unë u përfshiva në një gjendje të trazuar, e cila u reflektua dukshëm në çastin e fundit të asaj procedure. I thashë, nëse tenton të shkruaj emrat e x, y, më dikto emrat e tyre. Unë do t’i shkruaj por ta dish se unë do të deklaroj botërisht se kam qenë i detyruar nga ti, ta bëjë këtë gjë. Refuzimet e mia bënë që ai të tërhiqet, doli jashtë e nuk u kthye më.

Kjo procedurë zgjati me orë të tëra, nisi diku në ora shtatë të mbrëmjes së 21 tetorit dhe zgjati deri në ora dy e gjysmë para mëngjesit të 22 tetorit 1968.

Në ndërkohë erdhi një polic dhe më nxori nga aty dhe më dërgoi në një sallë ku ishin shokët e mi: Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Sadik Binakaj dhe Sylë Kuçi.

Pas ca çastesh erdhi Mehmet Shoshi, atëherë Sekretar Krahinor i Punëve të Brendshme, po e priste një grup i punëtorëve të Sigurimit. Ai na u drejtua: “Djema, a keni gabuar, apo jo, këtë do ta vërtetoi koha. Ju duhet ta vazhdoni shkollën, duhet të mësoni me përkushtim. Nëse ndonjë nga ju e braktis shkollën, do të ketë punë me mua”. Në fund iu drejtua Mehmet Haskut: “Mehmet, secilin nxënës dërgoje me makinë deri në shtëpinë e vet”. Mehmet Hasku na barti me makinë të tipit “Vollga” në shtëpitë tona.

Prej datës 22 tetor, te porta e hyrjes së shkollës sonë, që çonte rruga në perëndim drejt Pejës dhe në lindje drejt Mitrovicës, bënte roje me muaj patrulla e policisë ushtarake.

Peja dhe Kosova e kujtojnë me krenari demonstratën e ’68-tës

Peja, lulja e Dukagjinit, ka një histori të bujshme shekullore, të ngjeshur me përplot ngjarje e përjetime trishtuese, dramatike e krenare. Krenari kombëtare ishin edhe demonstratat e 19 tetorit 1968. Ngjarjet e demonstratave të 19 tetorit m’i rikujtojnë shumë momente e detaje, që kanë ngelur të përjetshme në kujtesën time, edhe pse kanë kaluar 56 vite nga ajo ditë e bekuar e demonstratave historike, kur për herë të parë, pas 21 vjetësh, shfaqet flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenëshe, në oborrin e shkollës normale “Ali Kelmendi”.

Misionarëve të arsimimit kombëtar pejanë, pedagogë që do të kujtohen ndër breza. Ata ishin personalitete të shquara me cilësi të larta që sakrifikuan çdo gjë, për shkollimin dhe emancipimin e të rinjve e të rejave pejanë shqiptarë, të dashur për nxënës, përkrahës dhe mbështetës të tyre. Ndikimi i tyre ka qenë thelbësorë në ngritjen e frymës kombëtare, në përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar, andaj i falënderojmë deri në përjetësi.

Ata nuk ishin pak, me sa vijon: Rexhep Podrimaj, Ali Hasku, Jahja Sapunxhiu, Fetah Çavdarbasha, Bajram Januzaj, Gëzim Basha, Nimon Lokaj, Ajmane Krasniqi, Hajrullah Gruda, Riza Brada, Avni Lama, Mehdi Bajri, Bajram Ahmetgjekaj, Sadri Kelmendi, Negihane Basha, Muhamet Berisha, Avni Gjakova, etj.

Falënderim dhe përkujtim i përjetshëm atyre që nuk jetojnë më, profesorëve, ideatorëve dhe organizatorëve të demonstratave në Pejë, të cilët dhanë kontribut të veçantë: Rexhep Podrimaj, Bajram Januzaj, Ali Hasku, Riza Brada, Sadri Kelmendi, Avni Lama, Gëzim Basha, Mehdi Bajri, Isa Demaj, Riza Smaka, Ali Azem Lajçi, Xhemajl Gashi, Miftar Tishuku, Hasan Maksuti, Hajrije Ahmetgjekaj, Sylë Kuçi dhe Demë Mulliqi.

Lavdi dhe nderim i përjetshëm!