Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar (NCA), Graeme Biggar, ka pritur këtë javë në Londër kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Gjatë takimit, z. Biggar i ka akorduar një vlerësim të posaçëm mirënjohjeje z. Dumanit, duke vlerësuar lidershipin e tij si dhe guximin e integritetin e treguar në luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet e pandalshme për garantimin e drejtësisë.
Vizita dhe vlerësimi vijnë në kuadër të bashkëpunimit të forcuar mes institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus luftën kundër rrjeteve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Autoritetet britanike kanë theksuar gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj SPAK dhe BKH-së në këtë mision të përbashkët.







