Rusët e pasur po përballen me një mister: Porsche-t e tyre nuk ndizen më. Qindra makina janë prekur dhe çdo ditë raportohen raste të reja. Kompjuteri i bordit bllokon ndezjen e makinës luksoze. Eksperti i automobilave, Ferdinand Dudenhöffer, dyshon për një sulm hakerësh – dhe supozon se pas kësaj mund të qëndrojnë ukrainasit.
Në rrjetet sociale po shtohen raportimet e rusëve të prekur, të cilët nuk arrijnë t’i ndezin Porsche-t e tyre. Tregtarët privatë, që ende shesin dhe riparojnë makinat nga Zuffenhauseni në Rusi, nuk arrijnë ta shpjegojnë fenomenin. “Problemi shfaqet në të gjitha modelet”, tha Julia Trushkova, drejtuese e shërbimit te tregtari Porsche Rolf, për median ruse RBK.
Deri tani preken vetëm Porsche-t dhe vetëm në Rusi. Këtë e konfirmon edhe Porsche GmbH për gazetën BILD: “Tregjet e tjera nuk janë prekur nga ky defekt.”
Qindra makina luksoze jashtë funksionit – dhe askush nuk e di pse!
Në rrjetet sociale ka dyshime se Porsche mund t’i ketë bllokuar vetë makinat. Ose se problemi lidhet me çrregullime në sistemin GPS.
Dudenhöffer dyshon për një aktor tjetër. Ai i thotë BILD-it: “Nuk e besoj që Porsche e ka bërë vetë këtë. Më shumë ka gjasa që sistemi i makinave të jetë hakeruar. Nuk do t’i përjashtoja ukrainasit, që po mbrohen kundër Rusisë. Ata kanë bërë edhe gjëra shumë më të mëdha për t’i shkaktuar dëme Rusisë. Dhe pikërisht ata që ngasin Porsche janë shtyllat e sistemit të Putinit”.
Një bllokim i tillë i Porsche-ve ruse është pothuajse i vetmi mjet për të prekur drejtuesit dhe pronarët e tyre. Sepse sanksionet anashkalohen lehtësisht, sidomos në segmentin e makinave luksoze. Vetëm në vitin 2024, 2000 Porsche të reja janë futur kontrabandë në Rusi. Sipas informacioneve të BILD, ndërmjetësit i blejnë Porsche-t në mbarë botën dhe i çojnë në Rusi.
Sistemi është i sofistikuar: përdoren persona “kukulla”, që blejnë maksimumi nga një makinë, në mënyrë që të mos bien në sy te Porsche. Dudenhöffer thotë: “Ato blihen në Arabinë Saudite, Kinë, Amerikën e Jugut dhe më pas eksportohen drejt Rusisë.”
Edhe furnizimi me pjesë këmbimi për Porsche-t në Rusi është i mirë, sepse është shumë fitimprurës. Sipas Dudenhöffer-it, edhe këto pjesë blihen në mbarë botën dhe dërgohen në Rusi. Sipas informacioneve të BILD, dërgohen atje edhe makina të përdorura të plota, të cilat çmontohen për pjesë. Pjesët e vogla më të vështira për t’u siguruar prodhohen me printerë 3D ose kopjohen thjesht në Kinë./Bild







