Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me seancën e sotme gjyqësore në rastin që lidhet me rezervat shtetërore të mallrave. Ajo ka theksuar se nuk ka pranuar asnjë thirrje zyrtare nga Gjykata për këtë seancë.
“Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, ka shkruar Hajdari në Facebook.
Sot, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin për rezervat shtetërore. Në mungesë të prezencës së ministres në detyrë, Rozeta Hajdari dhe mbrojtësit të të akuzuarit, Irfan Lipovicës, Feim Alaj ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin për rezervat shtetërore.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishte paraparë shqyrtimi fillestar në rastin për rezervat shtetërore ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara dhe afaristit Ridvan Muharremi, ku dëmi i shkaktuar është afër 3 milionë euro.
Çështja e rezervave shtetërore vazhdon të jetë nën shqyrtim gjyqësor, ndërsa institucionet përkatëse pritet të zhvillojnë seanca të tjera në vijim të procesit.







