Ballina Europë Jo vetëm e brishtë, por edhe jashtë kohe: Evropa që duhet ribërë...

Jo vetëm e brishtë, por edhe jashtë kohe: Evropa që duhet ribërë nga e para

24
0

Ferruccio de Bortoli e shpjegon në Corriere della Sera dobësinë e BE-së duke thënë se udhëheqësit e saj janë “shumë të sjellshëm dhe shumë të dobët” për t’iu kundërvënë një Shtëpie të Bardhë, e cila dje i goditi ashpër vendet dhe drejtuesit europianë, duke i quajtur të parët “të rrënuar” dhe të dytët “të hutuar”. Por analiza e De Bortolit është shumë e butë. Po të mjaftonte një ton më i ashpër dhe një politikë më energjike, problemet do të ishin ende të zgjidhshme.

Thelbi i çështjes është, se Bashkimi Europian është një trup pa zë dhe pa muskuj – i paaftë nga vetë struktura për t’u përballur me çdo emergjencë. Kjo dobësi e thellë lidhet me mënyrën si ka lindur projekti europian, i finalizuar në vitin 1992 me Traktatin e Maastricht-it, një himn ndaj euro-burokracisë.

Për më tepër, gjatë dekadës që pasoi, Europa dështoi të krijonte një Kushtetutë që do t’i jepte shpirt dhe një busull vlerash. Pas Maastricht-it fshihet figura e Jacques Santer, një kryeministër i panjohur i Luksemburgut, i cili në vend që t’i jepte Europës një udhëzues si të bëhej fuqi e madhe, e futi në korniza të ngurta burokratike, më shumë si një manual kontabilisti sesa si një projekt politik.

Traktati është edhe më i papërshtatshëm për kohën kur u hartua. Ishin vitet kur libri i Francis Fukuyama-s, “Fundi i Historisë”, ushqente iluzionin se demokracia liberale kishte fituar përgjithmonë. Këto iluzione çuan drejtuesit europianë të përqendroheshin në rregulla ekonomiko-juridike, duke harruar atë që sot mungon më shumë: një mbrojtje e përbashkët dhe një politikë e jashtme e shpejtë dhe vendimtare.

Rezultati nuk është një Evropë thjesht “e brishtë”, siç thotë De Bortoli, por një trup i pajetë, që s’arrin as të vendosë, as të veprojë. Mungesa e një Kushtetute, pra e një busulle të vlerave, e lë kontinentin pa drejtim dhe udhëheqësit e tij “të hutuar”.

Kjo sindromë është bërë e dukshme në çdo krizë të 15 viteve të fundit: kriza e borxheve sovrane (2009), emergjenca e migracionit (2015), pandemia, dhe së fundmi kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Në të gjitha rastet, BE-ja ka treguar një rol minimal, për të mos thënë të parëndësishëm.

Europa nuk mund ta tejkalojë këtë krizë ekzistenciale me rregullime kozmetike. Nevojitet një ristrukturim i thellë i traktateve dhe institucioneve të saj. Dhe këtë nuk e thotë vetëm “i keqi” Donald Trump, që na zemëron sa herë e bën, por edhe Mario Draghi, i cili ndryshe nga Trump, për të njëjtat fjalë pritet vetëm me duartrokitje. / il giornale