Një marrëveshje e re e ruajtjes në shtetin e Nju Meksikos do të mbrojë përgjithmonë peizazhet e shkretëtirës që frymëzuan veprat e Georgia O’Keeffe dhe do të garantojë akses për vizitorët, sipas AP.
Planet fillestare parashikojnë një marrëveshje për një një zonë me status mbrojtjeje për mbi rreth 26 kilometra katrorë tokë pranë fshatit Abiquiu, e cila i përket një fondacioni bamirës të Kishës Presbiteriane të SHBA-së.
Zona e mbrojtur shtrihet deri pranë shtëpisë së O’Keeffe-s, e cila është në pronësi të pasurisë së artistes, ndërsa shtëpia dhe studioja e saj në Abiquiu administrohen veçmas nga muzeu ”Georgia O’Keeffe” në Santa Fe.
Peizazhi i këtij territori është i njohur për adhuruesit e artit të artistes: shtrirje ranore, lugina shkretëtire, formacione shkëmbore shumëngjyrëshe dhe mali karakteristik Cerro Pedernal në horizont.
Sipas Jonathan Hayden, drejtor ekzekutiv i ”New Mexico Land Conservancy”, marrëveshja synon të mbrojë tokën nga zhvillimet moderne dhe fragmentimi urban që mund të shndërrojnë përgjithmonë këtë peizazh unik.
Toka e përfshirë në këtë fazë të parë është përdorur edhe si skenografi filmike për dekada, përfshirë rikrijimin e Los Alamos-it të periudhës së Luftës së Dytë Botërore në filmin “Oppenheimer” të vitit 2024.
Marrëveshja garanton akses të kufizuar për produksionet filmike dhe ruan traditën e kullotjes dimërore nga fermerët lokalë.
Shteti i Nju Meksikos po financon një pjesë të madhe të nismës përmes një fondi të krijuar nga ligjvënësit në vitin 2023.
Një grant prej 920 mijë dollarësh po përdoret për studime të terrenit, kosto administrative dhe për krijimin e një fondi që Fondacioni Presbiterian do të përdorë për të mbështetur programet e ”Ghost Ranch Education & Retreat Center”, i cili pret rreth 10 000 vizitorë në vit.
Kjo është vetëm faza fillestare e një projekti më të gjerë që synon të mbrojë mbi 78 kilometra katrorë tokë përmes servituteve shtesë dhe transferimeve të pronave publike, duke përfshirë edhe brigjet e lumit Chama dhe habitatin për kafshët e egra.
Zona ka rëndësi të veçantë kulture dhe historike për shumë komunitete indigjene, të cilat e konsiderojnë rajonin pjesë të trashëgimisë së tyre të lashtë.







