Wayne Rooney ka hapur sërish arkivat e kujtimeve të tij, duke rrëfyer një nga momentet më të rëndësishme, por edhe më të vështira, të karrierës së tij.
Në episodin e ri të The Wayne Rooney Show në BBC, ish-ndërkombëtari anglez tregoi se në vitin 2004, kur vendosi të lëvizte nga Evertoni i fëmijërisë për te Manchester United, ai mori kërcënime me vdekje.
Transferimi, i vlerësuar 30 milionë euro, ndryshoi rrjedhën e karrierës së tij, por solli edhe sfida të mëdha personale.
“Kam marrë kërcënime me vdekje. Shtëpia e prindërve të mi u vandalizua dhe u shkatërrua.
Edhe shtëpia e së dashurës sime atëherë, tani gruaja ime, u pikturua me ‘spray’. Duhet të jesh shumë i fortë mendërisht,” rrëfeu Rooney. Ai shtoi se ishte e vështirë të largohej nga Evertoni për shkak të rivalitetit të madh mes Liverpoolit dhe Manchesterit, gjë që e bëri gjithçka më komplekse.
Megjithatë, Rooney nuk u tërhoq: “Unë gjithmonë kisha mentalitetin ‘nuk më intereson’. E dija çfarë doja dhe si të arrija atje. Duhet të qëndrosh i fortë mendërisht. Ishin njerëz nga qyteti im, prandaj ishte e vështirë, por thashë vetes: ‘të duhet të jesh egoist dhe të marrësh këto vendime’.”
Rezultati i këtij vendimi është historia: Rooney luajti 13 sezone te United, duke u bërë një nga figurat më të mëdha të klubit me 559 ndeshje, 253 gola dhe 23 tituj. Në 2017, ai u rikthye tek Evertoni, duke mbyllur një cikël të rëndësishëm të karrierës së tij.
Gjithashtu, në të njëjtin program, Rooney rrëfeu një histori të pazakontë nga fëmijëria: ai shkëmbeu letra me Duncan Ferguson, sulmues i Evertonit, i cili në 1995 po kryente një dënim prej 44 ditësh për një incident gjatë ndeshjeve.
Rooney, vetëm 10 vjeç, i shkruante Fergusonit për të shprehur admirimin e tij, dhe Ferguson i përgjigjej me mirënjohje: “Faleminderit, do të thotë shumë.” Në vitet pasuese, Rooney do të punonte dhe stërvitej çdo ditë pranë idhullit të tij të fëmijërisë.







