Ballina Kulturë Muzikë në Arkivin Shtetëror të Filmit, prezantohet albumi pianistik “Eko e një...

Muzikë në Arkivin Shtetëror të Filmit, prezantohet albumi pianistik “Eko e një kohe të largët”

0
21

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u prezantua albumi pianistik “Eko e një kohe të largët”, ideuar dhe kuruar nga Ardita Bufaj, e cila solli kolonat zanore të filmave, shkruar nga kompozitori i mirënjohur Hajg Zaharjan (Haig Zacharian).

Në AQSHF, koncerti solli emocion dhe art, në nder të Zacharian, i cili është një prej figurave më të vyera të muzikës shqiptare. “Eko e një kohe të largët” është një album-homazh për krijimtarinë e prof. Haig Zacharian, me melodi delikate, plot shpirt e kujtime, të cilat nën prekjen pianistike marrin një dritë të re.

Më shumë se një promovim, koncerti erdhi si një udhëtim në kujtesën kolektive, një rikthim te emocionet që muzika e Haig Zacharian ka gdhendur për dekada.

Në piano interpretuan Ardita Bufaj dhe Merita Balliu, të shoqëruara në oboe nga Xhovana Marku.

Haig Zacharian lindi në Durrës, në gjirin e një familjeje me prejardhje armene.

U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në klasën e kompozicionit me prof. Tonin Harapin. Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës. Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës.

Disa nga filmat, muzikën e të cilëve e ka kompozuar Haig Zacharian, janë:

1976- “Ilegalët”
1978- “Dollia e dasmës sime”
1978- “E fshehta e një nate”
1978- “Yjet mbi Drin”
1979- “Dorina”
1979- “Përtej mureve të gurta”
1981- “Një natë pa dritë”
1982- “Njeriu i mirë”
1983- “Dora e ngrohtë”
1983- “Kohë e largët”
1984- “I paharruari”
1984- “Taulanti kërkon një motër”
1985- “Pranverë e hidhur”
1985- “Të mos heshtësh”
1986- “Tre ditë nga një jetë”
1987- “Familja ime”
1987- “Në emër të lirisë”
1987- “Vrasje në gjueti”
1989- “Djali Elastik”
1988- “Flutura në kabinën time”
1990- “Kronikë e një nate”
1990- “Vetmi”
1998- “Nata”
2010- “Maya”