Ballina Opinion Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

23
0

Nga Ermal Peçi

Në çdo epokë, shoqëritë që nuk guxojnë të përballen me pushtetin, shpikin një fajtor të vogël për të shpëtuar fajtorët e mëdhenj. Sot, ky ritual quhet Endri Shabani.

Prej ditësh, ai shëtitet nëpër sheshet mediatike si një figurë e njollosur, një njeri mbi të cilin duhet hedhur guri i parë. Jo sepse ka ndërtuar sistemin, por sepse është më i lehtë për t’u kryqëzuar. Kryqëzimi i të dobëtit është gjithmonë më i sigurt se përballja me arkitektin.

Le të jemi të hapur, unë vet jam drejtuar me një letër publike Endri Shabanit për një takim që ai pat mohuar për Bashën dhe kam pasur qëndrimet e mia kundër narrativës së tij politike por kjo smë bën të hedh helëm në këtë moment kundër tij.

Shabani nuk ka asnjë faj për sistemin politik që është prodhuar deri më sot në Shqipëri. Ky sistem nuk u ndërtua nga emra të rinj, por nga dy qendra pushteti që kanë komanduar vendin për tri dekada.

Përplasja mes Shabanit dhe Lapajt për një mandat nuk është tradhti, por papjekuri politike e të dyve, paaftësi për të ndarë shapin nga sheqeri. Media, natyrisht, nuk e thotë këtë. Media ushqehet me dramë, jo me shkaqe.

Ajo që nuk thuhet është thelbësorja: sistemi është i mbyllur, i kontrolluar dhe i dirigjuar. Berisha dha urdhrin që të firmosej për Shabanin. Rama e miratoi. Ka kaq. Kaq e thjeshtë dhe kaq brutale. Nëse nuk do të ishte Shabani, do të ishte një tjetër emër. Sistemi nuk varet nga individët; individët konsumohen nga sistemi.

Pse askush nuk thotë që avokatin e popullit nuk mund të japin kurrë një partie që udhëhiqet nga një Non Grata.

Prandaj është hipokrizi e pastër ta paraqesësh Endri Shabanin si “fajtorin e madh”. Ai nuk ka ndërtuar ligjet zgjedhore, nuk ka kapur institucionet, nuk ka kthyer politikën në pronë private. Ai thjeshtë u lodh nga një lojë politike dhe pa të udhës për të ju kthyer profesionit të tij.

Nëse ka zemërim, le të drejtohet aty ku duhet. Merruni me Berishën dhe Ramën. Me dyshën që kontrollon mekanizmin. Me dyshen që ka polarizuar shoqerinë dhe na bënë të shikojmë njëri tjetrin si armiq. Merruni me faktin se si Berisha tallet me demokratët dhe i poshtëron. Avokati i popullit nuk rritë as pagat, nuk jep as tendera, nuk ndan as interesa, kështu mos i jepni peshën që nuk e ka.

Endri Shabani është një qytetar që ka tentuar të mbijetoj politikisht brenda një sistemi që të rinjtë nuk i do. Një i ri që u lodh dhe kërkoj të eci profesionalisht duke marr mbi supe e kostot morale të lëvizjes së tij. Kryqëzimi i tij nuk është drejtësi. Është alibi për ata që kanë ndërtuar këtë batak.

Koha po tregon se sa herë që shoqëria zgjedh të godasë individin e dobët, në vend të pushtetit të fortë, sistemi fiton edhe një herë.