Ballina Bota Fituesja e Nobelit për Paqen 2023, Narges Mohammadi, arrestohet me dhunë në...

Fituesja e Nobelit për Paqen 2023, Narges Mohammadi, arrestohet me dhunë në Iran

27
0

Narges Mohammadi, aktiviste e njohur iraniane, fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2023 dhe nënkryetare e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, është arrestuar sërish në mënyrë të dhunshme nga autoritetet iraniane. Ajo u ndalua së bashku me disa aktivistë të tjerë gjatë një ceremonie në nder të avokatit të ndjerë për të drejtat e njeriut, Khosrow Alikordi.

Fondacioni i saj ka bërë publik lajmin, megjithëse ende nuk dihet gjendja apo vendndodhja e Mohammadi-t pas arrestimit. Aktivistja ka qenë e burgosur pesë herë më parë, me një total dënimesh që arrijnë në 31 vite.

Fondacioni kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve, duke e cilësuar ndalimin si shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut.

Mohammadi e mori Çmimin Nobel për Paqen për “luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë për të gjithë”. Asokohe, ajo ishte në burg, dhe fjalimi i saj u lexua nga fëmijët e saj.

Arrestimi i fundit është një tjetër dëshmi e represionit të regjimit iranian ndaj aktivistëve që kërkojnë liri, barazi dhe të drejta bazë për gratë dhe shoqërinë civile.