Një mori kullash të larta, 30 e kusur kate, deri në 105 metra të larta, do të ngrihen në afërsi të Kthesës së Kamzës, një vend kaotik që vijon të shfrytëzohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Në një sipërfaqe të vogël do të ngrihen dhjetëra ndërtesa shumë katëshe me modelin e pallateve shumëkatëshe në “Hong Kong”, në lagjet më të populluara dhe me një densitet shumë të lartë.
Më shumë sesa një kompleks, ajo që do të ngrihet te Kthesa e Kamzës i ngjason më shumë një “getoje” të re në Tiranë, në një nga vendet më problematike në kryeqytet. VoxNews ka shfletuar dokumentet e kësaj leje, e cila do e shndërrojë zonën përballë terminalit të ri të autobusëve, në një mal të madh betoni.
Në 2.7 hektarë, KKT-ja ka parashikuar që të ndërtojë godina që të presin deri në 7.500 persona, ose sa një qytezë e vogël në Shqipëri. Masive të mëdha betoni do të ngrihen në lartësi.


Disa muaj më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar lejen e zhvillimit për objektin “kompleks rezidencial dhe shërbimi, 1-30 kate me 3 kate nëntokë”. Mësohet se vendndodhja është në rrugën “Kastriotët”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Pajtoni”.
“Njësia strukturore pozicionohet në pjesën perëndimore të qytetit të Tiranës. Ajo ndodhet në një distancë prej rreth 4 km nga qendra e qytetit në vijë ajrore. Kjo njësi kufizohet nga dy rrugë kryesore me rëndësi strategjike: rruga ‘Kastriotët’, e cila përbën një aks të rëndësishëm që lidh qytetin e Tiranës me zonat veriore të Shqipërisë, dhe autostrada Tiranë-Durrës, që shërben si arteria kryesore kombëtare që lidh kryeqytetin me qytetin e Durrësit dhe bregdetin perëndimor” thuhet në dokumente.


Në të njëjta dokumente detajohet se parcela ndodhet në një pozicion strategjik brenda hartës urbane të Tiranës, në nyjën lidhëse midis dy lumenjve kryesorë të qytetit: Tiranës dhe Lanës. “Ajo shtrihet në kryqëzimin e dy korridoreve kombëtare me rëndësi të veçantë-rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin dhe asaj që shkon drejt veriut të vendit, në drejtim të Shkodrës. Forma e saj trekëndore, e orientuar natyrshëm drejt qendrës së qytetit, siguron një integrim të drejtpërdrejtë me rrjetin infrastrukturor dhe zhvillimet urbane përreth, duke e bërë këtë parcelë një pikë kyçe për investime strategjike ose zhvillime të mëtejshme urbane” vijon dokumenti.

VoxNews ka shfletuar edhe maketin e kullave që do të ndërtohen. Megjithëse në dokumente shkruhet rëndom se “projekti është integrimi harmonik i elementeve të natyrës”, në foto duket krejt tjetër.
Pallatet janë në afërsi të frikshme me njëri-tjetrin në stilin e pallateve shumëkatëshe në Hong Kong, ku disa ditë më parë ra një zjarr dhe dhjetëra apo qindra banorë humbën jetën. Në maket duket se godinat janë të larta, ndërsa deri më tani nuk ka një informacion nëse rezidenca do të ketë një studim nga mbrojtja e zjarrit, ujit apo edhe të fenomeneve të tjera natyrore.
Nëse do të ndërtosh një mal të madh betoni, a ka dalje emergjente?! Apo ashtu siç ndodh rëndom me të gjitha pallatet në Tiranë, ju jeta e njeriut as nuk merret në konsideratë nga askush, ata që japin lejet dhe ata që i ndërtojnë.

Në dokumentet e KKT-së shkruhet se forma e përgjithshme e kompleksit është e orientuar drejt qendrës së qytetit. “Theksohet nga rritja graduale e lartësisë së volumeve, duke krijuar një kurbë konkave që referon siluétat natyrore të vargmaleve përreth. Pika më e lartë e ndërtesës pozicionohet përgjatë rrugës për në Shkodër,
ku vendos një dialog vizual dhe funksional me ndërtimet e reja të stacionit të trenit dhe autobusëve, duke u shfaqur njëkohësisht si pikë referimi urbane për lagjen në zhvillim” vijon dokumenti.
Ndërkohë shkruan se, ndërthurja e funksioneve publike dhe private përmes hapësirave të gjelbra të organizuara në nivele të ndryshme, nga kati përdhes deri në katin e pestë, krijon mundësi për përdorim komunitar dhe social, duke ofruar një përvojë hapësinore të pasur dhe gjithëpërfshirëse.
Nëse në letra shkrihet gjelbërim, krejt tjetër shihet në makete. A do të ketë gjelbërim në ballkone apo tarraca?! “Nga kati përdhe deri në katin e pestë, i cili shërben si një park i gjelbëruar mbi tarracën e katit të katërt, objekti formon një piedestal të vazhdueshëm përgjatë gjithë perimetrit. Mbi këtë strukturë ngrihen disa njësi vertikale banimi që zhvillohen nga piedestali dhe përfshijnë apartamente” thuhet në dokumente.

Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews shkruhet se zona e propozuar për zhvillim ka një sipërfaqe të përgjithshme trualli prej 27.500.8 m². “E gjithë kjo sipërfaqe do të përdoret për zhvillim. Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit arrin në 153,900.06 m². Projekti parashikon struktura me lartësi maksimale deri në 105 metra nga niveli i sistemimit, me 1 deri në 30 kate mbi tokë dhe 3 kate nën tokë, duke mundësuar një zhvillim vertikal të konsiderueshëm në përputhje me kërkesat urbanistike dhe funksionale të zonës” vijon dokumenti.
Projekti është parashikuar që të zhvillohet në 3 faza, teksa vijon se “ky zhvillim urban është konceptuar për të përmbushur nevojat për banim, hapësira funksionale dhe infrastrukturë ndihmëse për një komunitet prej 7.564 përdoruesish”./Vox News







