Ballina Kronika Në kërkim për vepra të ndryshme penale, 4 të arrestuar në Tiranë

Në kërkim për vepra të ndryshme penale, 4 të arrestuar në Tiranë

20
0

Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona, për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se një prej të arrestuarve është prangosur për plagosje.

Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Catch”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapen 4 shtetas në kërkim, të dënuar/akuzuar për vepra të ndryshme penale. Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve në terren të kryera në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit e Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin J. P., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin A. K., 36 vjeç. Këtë shtetas, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”; me 10 muaj burgim, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”; si dhe i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kapën dhe ndaluan shtetasin A. H., 42 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën shtetasin G. H., 41 vjeç. Nga dënimi me 5 vjet burgim, i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’, këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer 11 muaj e 21 ditë burgim. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Gjirokastër. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.