Ballina Sport Plas skandali që mund ta lërë Argjentinën jashtë Botërorit 2026, në rrezik...

Plas skandali që mund ta lërë Argjentinën jashtë Botërorit 2026, në rrezik “Finalissima”

0
28

Drejtësia argjentinase po vepron me vendosmëri kundër Claudio “Chiqui” Tapia. Gjykatësi federal Daniel Rafecas ka urdhëruar kontrolle të reja në një rezidencë luksoze në Pilar, ku po hetohet një pronë e regjistruar në emër të “Real Central SRL”, e lidhur me Luciano Pantano dhe Ana Lucía Conte, të dyshuar si “alter ego” të presidentit të AFA. Të dy kanë ndalim për të dalë nga vendi.

Operacioni i fundit iu shtohet kontrolleve të kryera në më shumë se 15 klube dhe në një zyrë në qendër të Buenos Airesit, në kuadër të çështjes që synon të sqarojë rritjen e pasurisë së Tapia dhe rrethit të tij. Nën vëzhgim është edhe arkëtari Pablo Toviggino, i përmendur si banor i mundshëm i vilës, si dhe kompania financiare “Sur Finanzas”, e akuzuar për kredi ndaj klubeve me kushte abuzive.

Skandali ka kaluar kufijtë e futbollit. Drejtësia po heton nëse ka pasur pasurim të paligjshëm dhe përdorim të personave të tretë (‘testaferro’), ndërsa FIFA po e ndjek nga afër situatën për të shmangur çdo ndërhyrje politike, e cila mund ta linte Argjentinën jashtë Kupës së ardhshme të Botës. Kështu raporton media prestigjioze “La Nación”.

Në këtë klimë të tensionuar, edhe kombëtarja kampione e botës po lëviz me shumë kujdes. Trajneri Lionel Scaloni po heziton nëse duhet ta luajë “Finalissima” kundër Spanjës në muajin mars, sinjal i qartë i pasigurisë që sot rrethon AFA.

Situata po ndikon jo vetëm në imazhin institucional të futbollit argjentinas, por edhe në vendimmarrjet sportive, duke krijuar paqartësi rreth një prej përballjeve më të shumëpritura ndërkombëtare.