Ballina Dossier Rrëfimi: Si Pjetër Bogdani u zhvarros nga osmanët dhe trupi i tij...

Rrëfimi: Si Pjetër Bogdani u zhvarros nga osmanët dhe trupi i tij u hodh si ushqim qensh në mes të sheshit të Prishtinës, pasi…

21
0

 Nga Dr. Qazim Namani

Prishtina shtrihet në mes të përroit të vegjël Prishtinës, Vellushës dhe Matiqanit, që rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Në anën jugore dhe perëndimore Prishtina kufizohet me toka pjellore të fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare sillet prej 585 m , 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi në disa lagje të qytetit. Studimet shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.

Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve. Gjatë punimeve të rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e neolitit të vjetër: Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e neolitit të ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiqani. Kultura materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica, Keqekolla. Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale. Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla, Periudha Bizantine- mesjeta e hershme: Matiqani.

Nëpër qytetin e Prishtinës kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme, rrugët që vinin nga Bosna, rruga Naissus-Lissus, nga Scupi etj. Sipas Tabula Peutingeriana, stacioni rrugor Viciano i rrugës Naissus-Lissus ka qenë ndërmjet fshatrave Uglar dhe Çakllavicë në afërsi të Prishtinës. Diku rreth 7 km. në jug-lindje të Prishtinës, gjendet qyteti i madh antik Ulpiana. Si duket Ulpiana e rrënuar dhe e plaçkitur në mesjetën e hershme, ia lëshon rëndësinë Prishtinës si lokalitet në afërsi të saj. Tokat pjellore në Fushën e Kosovës dhe trevat minerare në malësinë e Gallapit, ndikuan në përparimin dhe zhvillimin e këtij vendbanimi.

Shkrimet e para deri me tani të publikuara për Prishtinën si toponim janë nga një dokument të kinezit kroat Mutimirit të vitit 892, ku thuhet se me pallat ka qenë edhe Prishtina si shpatë-mbajtës. Nga literatura dhe dokumentet tjera arkivore, Prishtina përmendet nga kontaktet e para raguzane me Prishtinën që i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë shqiptare, Gregorius Marini de Petrana (1253-1280), emërohet konsull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë Gregorius M. De Petrana, kalon ndër vende tjera edhe nëpër Prishtinë.

Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju kërkohet targa e Shën Mitrit dubrovnikasve. Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili një atë kohë ka dhënë disa të dhëna të rëndësishme për lokalitetin. Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore, për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje. Prishtina e kishte edhe kalanë, të cilën e kishte rrënuar Sulltan Mutati I gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389. Këtë e pohon edhe Evlija Çelebiu në vitin 1662, kur shkruan se kalanë e Prishtinës të ndërtuar nga mbreti Millutin, e rrënoi Sulltan Murati I-rë pas hyrjes në Prishtinë. Sipas burimeve serbe, pallatin e ka ndërtuar mbreti Millutini në mes të sahat kullës së sotme dhe xhamisë së çarshisë.

Një qytetar gjatë bartjes së dheut pas hapjes së një themeli afër entit të statistikës dhe xhamisë së gurit (Çarshisë), nga ky vend kishte bartur edhe disa gurë të mermertë. Gurët kanë plastikë gurore dhe të rrethuara me kanelyra dhe sipas ekspertëve janë të punuar në periudhën antike. Se a janë bartur nga Ulpiana apo ndonjë lokalitet tjetër, mundë të vërtetohet vetëm pas vëzhgimit të gërmimeve për ndërtime në atë hapësirë. Bazuar nga të dhënat e cekura më lartë për vendin e ekzistimit të kalasë ndërmjet sahat kullës dhe xhamisë së çarshisë, mundë të pohojmë se këto të dhëna janë të vonshme pas ndërtimit të xhamisë dhe sahat kullës. Këtu kur bëhet fjalë për xhaminë e çarshisë duhet pasur parasysh Xhamin e Llukaqit që ishte e ndërtuar te teatri, afër çarshisë së mbuluar të Prishtinës.

Sido që të jetë për vendin ku thuhet se ka ekzistuar kështjella e qytetit dëshmojnë edhe këta gurë të zbuluar që lënë të kuptohet se Prishtina e kishte kështjellën e saj që nga periudha romake apo bizantine e hershme. Kjo mbetet të vërtetohet vetëm pas gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet. Po ashtu gjatë bartjes së dheut nga ndërtimet në Prishtinë gjatë vitit 1997, është gjetur një bazament shtylle në të cilin janë të skalitura pranë njëri tjetrit simboli i kultit të diellit dhe kryqi. Vërehet se ky guri i punuar me llaç gëlqeror dhe i përzier edhe me qeramikë të bluar është ka edhe shenja të djegies çka lenë të kuptohet se kemi të bëjmë me një shtyllë të ndonjë objekti të kultit që përveç kryqit ka edhe simbole astrale të periudhës së paganizmit e i cili edhe është djegur.

Vend gjetja e këtij guri nuk dihet por është gjetur i hedhur në greminën e hapur nga fabrika e tjegullave në Prishtinë. Gjetje e këtij guri është edhe një dëshmi tjetër për të besuar se Prishtina ishte vendbanim para mesjetar. Prishtina gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme. Para betejës së Kosovës Prishtina ishte bërë kryeqytet i provincës dhe si i tillë mbeti edhe shumë kohë pas kësaj beteje. Përveç ndërtimeve në Prishtinë në afërsi ndërtohet mbi themele të një kishe më të hershme, manastiri i Graçanicës, si monument i kulturës me rëndësi të veçantë. Shihet se Prishtina me rrethinë në atë kohë kishte shumë monumente, dhe prania e këtyre monumenteve të kulturës siç është manastiri i Graçanicës, për nga vlerat artistike hynë në krijimtarinë më të përsosur të Evropës dhe Botës.

Për zhvillimin e Prishtinës flasin edhe faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj edhe nga Dubrovniku në vitin 1387. Po këtë vit qytetari nga Dubrovniku, Marko Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387, ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare edhe para betejës së Kosovës. Përveç kishës së Zojës Mëri, në vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë tjetër pa emër.

Në Prishtinë në vitin 1426 e kishte edhe konsullatën dubrovnikase. Në Prishtinë, në shekujt XIV-të dhe XV-të, vepronin një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon. Tregtarët dubrovnukas, gjenovas, hebrejë etj., kryesisht merreshim me metale fisnike si ari argjend dhe gllamë. Pas pushtimit osman, në Prishtinë u ndërtuan disa objekte sakrale dhe profane të stilit oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, shtëpi qytetare etj. Sipas regjistrimit të sanxhakut të Vushtrrisë nga viti 1477, Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë, të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.

Gjatë shekullit XV-të në kazanë e Prishtinës përfshiheshin disa xeherore të njohura për kohën. Në këtë kohë nga Prishtina kanë dalë edhe dijetar të shquar si Mesihi Prishtina i cili me veprat tij “Mesihi-Divani” edhe pse e shkruar me vjersha në gjuhën turke ka vlera të mëdha letrare dhe historike. Mesehi Prishtina vdes në Bosnje në vitin 1512. Në shekullin e XV-të Prishtina i kishte gjithsejtë 20 lagje. Sipas Shtjëfën Gasprit (1671), relator shqiptar, Prishtina ishte një ndër qytetet kryesore të Kosovës. Në Prishtinë ishte qendra administrative e xehetarisë së Kosovës dhe e krahinës xehetarë të Artanës (Novobërdës).

Gjatë mesjetës së vonë, në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë personalitete të njohura të kohës si; Jovan Kontaguzeni, Mbreti hungarez Vlladisllavi II-të, Pjetër Bogdani, Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj. Pjetër Bogdani me origjinë shqiptare, kryeipeshkvi i Shkupit dhe Sofjes i raporton Vatikanit që Prishtina kishte 3000 shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe të bukura duke veçuar sarajin e Allaj Begut dhe Pallatin e Gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën qytetare. Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me i njohuri në atë kohë ishte hani i Haxhi Beut.

Bazuar në të dhënat në vitin 1689, që i jep Coronelli në “Iliricum” dhe në “Corso delli fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia”, në vitin 1689 Prishtina i kishte 4000 shtëpi. Në këtë kohë Prishtina i kishte 360 fshatra dhe një numër i tyre ishte djegur. Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000 dyqane që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira shkruajnë udhëpërshkruesit që e vizituan Prishtinën në shekullin e XVII.

Në vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi, veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës. Atje shumë katunde mbetën shkretë, shumicën e tyre i dogjën dhe i zhdukën turqit dhe tatarët. Prishtina u dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit të gjeneralit austriak Pikolominit. Në mbarim të luftës austro-turke 1689-1690 trupat osmane dhe tatare hynë në Prishtinë dhe e bënë një hakmarrje të madhe ndaj shqiptarëve. Siç ka shkruar më vonë Gjergj Bogdani nipi i Argjipeshkvit Pjetër Bogdani, edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur dhe ishte varrosur, ai u zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qenesh në mes të sheshit të Prishtinës. Prishtinën gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë sunduar Gjinollët.

Pas vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat e tij u bë muze. Muzeu i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare, ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912. Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli, ka pasur një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës. Prishtinën e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit me 1812, Prishtina kishte dy panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin pjesë shumë tregtarë nga lindja dhe perëndimi. Në vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit i cili në atë kohë njihej si tiranik dhe e sundonte Prishtinën.

Në Prishtinë ishin të zhvilluara shumë zeje të lashta e ndër to ishte edhe zeja e hasrave. Përveç këtyre zejeve ishin të njohura edhe zejet e lëkur punuesve, kazangjijëve, punimi i enëve shtëpiake nga argjila dhe metalet, orë ndreqës, shportagji, qadragji, Farkatar, këpucëtar, jograngji punimet e veshjeve tradicionale etj. Prishtinës sot i mungon muzeu i qytetit, gjatë ndërtimeve në qytet nuk janë përcjellë gërmimet për hapjen e themeleve nga institucionet kompetente, andaj si rezultat i kësaj gjendje shumë eksponate të lëvizshme janë hidhur në gremina dhe janë mbuluar me dhe e mbeturina. Në vitin 1997 në greminën e fabrikës së tjegullave ku hidhej dheu gjatë gërmimeve në qytet janë gjetur edhe enë të emaluara me argentius-gllama.

Reformat në Perandorinë Osmane filluan në vitin 1892 dhe komisioni i ri i reformave përbëhej nga persona të njohur dhe të respektuar me përkatësi shqiptare. Nga Prishtina ishte Danish Beu i cili më vonë u bë ministër i punëve të brendshme të Perandorisë. Në gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e shqiptarëve. Selia e serasqerit u bë Prishtina. Kryengritësit u tërhoqën në malet e Prishtinës. Omer Pasha i kishte deklaruar konsullit anglez se 7000 shqiptar kryengritës ishin tërhequr në malet afër Prishtinës. Osmanët bënin regjistrimin e myslimanëve të Prishtinës të cilët refuzonin të jepnin rekrut për nizam.

Më 8 mars 1845 konsulli anglez në Selanik njoftoi se shqiptarët e rrethinës së Prishtinës nuk do të japin rekrut pa forcë. Nga plaçka që bënë ushtarët osman gjatë shuarjes së kësaj kryengritje u pasuruan shumë. Konsulli austriak shkruan se kryengritësit shqiptar e pushtuan Prishtinën në Pranverën e vitit 1844. Prishtina ra në duar të kryengritësve në mars të vitit 1844, kur Abdyrrahman Pasha i Prishtinës u largua në Prizren te miku i vet Izet Mehmet Pasha. Izet Pasha i kishte dhënë 6000 njerëz për ta kthyer Andyrrahman Pashën në Prishtinë, por kryengritësit e ndalën këtë sulm dhe e mbanin në kontroll Prishtinën.

Në Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140 persona. Në vitin 1846 Maliq beu vendosi që të gjithë kryetarët e familjeve shqiptare katolike ti dërgoi në një vend të rrethuar në Prishtinë. Të gjithë të burgosurit i futen në pranga të rënda në duar dhe në këmbë, me një zinxhirë të rëndë për mjedisi dhe të lidhur për një këmbe. Kjo ishte një peshë prej 40 okësh turke, përafërsisht 5o kg. Jashar Pasha i Prishtinës këta të burgosur i mbylli në një burg edhe më të rëndë dhe urdhëroi që në burg të lëshohet edhe uji. Këta të burgosur nga Prishtina u transferuan në Shkup dhe përmes Selanikut u dërguan në Azi të vogël.

Në Prishtinë janë kultivuar, lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto gara janë organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlege (dyluftime) të ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe Sarajevës. Në vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.

Në Prishtinë në vitin 1887 u hap konsullata serbe, dhe në vitin 1890 u vra konsulli serb Lluka Marinkoviq.[34] Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX-të kishte 4000 shtëpi. Përgjatë shekullit XIX-të, në qytetin e Prishtinës, ishin përhapur disa epidemi, dhe në burimet e shkruara janë dokumentuar epidemitë e Lisë, Lules, Tifos dhe shumë tjera, si epidemitë nga më të rrezikshme të kohës, të cilat ju morën jetën e shumë qytetarëve. Ne vitin 1890 ne burgun e Prishtinës për shkak te epidemisë një repart i burgut ishte shndërruar në spital, ku trajtoheshin të infektuarit. Nga Prishtina në 1896, u kërkuan vaksina kundër infektimit me sëmundjen e Lisë. Në vitin 1903, me kërkesën e ndihmës Prokurorit te Përgjithshëm ne spitalin e Prishtinës ishte dërguar aparati avullues për trajtimin e Lisë.

Për epidemitë në Prishtinë ka shkruar edhe Branisllav Nushiqi, që ishte konsull serbë në fund të shekullit XIX-të në Prishtinë. Ndër tjera ai shkruan se pas dëbimit të hebrenjve nga Rusia, nga të cilët50 shtëpi erdhën në Prishtinë, dhe për çudi brenda dy viteve të gjithë vdiqën nga epidemitë. Në Prishtinë në atë kohë jetonin 305 hebrenj. Shekulli XX-të e gjeti Prishtinën të varfër dhe pa ndonjë ekonomi të qëndrueshme, sidomos gjendja u vështirësua kur forcat e ushtrisë serbe, hynë në Prishtinë, në luftërat ballkanike. Ushtria serbe prej kufirit e deri në Prishtinë, lanë rreth 5000 shqiptar të vrarë. Prishtina pësoj shumë ndryshime edhe pas Luftës së Dytë Botërore, objektet më të rëndësishme në bërthamën e qytetit të vjetër u rrënuan. / Memorie.al