Shkencëtarët kanë bërë një hap të madh drejt zgjidhjes së një prej mistereve më të vjetra të fizikës së grimcave, duke konstatuar se nuk ka prova për ekzistencën e një lloji të katërt neutrinoje, i njohur si “neutrino steril”.
Një bashkëpunim ndërkombëtar studiuesish, përfshirë ekipin nga Universiteti i Mançesterit, në kuadër të eksperimentit MicroBooNE në laboratorin Fermilab në SHBA, njoftoi se rezultatet nuk tregojnë asnjë gjurmë të neutrinos steril. Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore Nature.
Prej dekadash, eksperimentet kanë vërejtur se neutrino, grimca nënatomike të përhapura kudo në univers, sillen në mënyrë që nuk përputhet plotësisht me Modelin Standard të fizikës. Një nga shpjegimet më të përhapura ka qenë ekzistenca e neutrinos steril, një grimcë hipotetike që nuk ndërvepron pothuajse fare me materien.
Eksperimenti MicroBooNE përdori një detektor shumë të ndjeshëm dhe dy rreze të ndryshme neutrinosh për të vëzhguar sjelljen e mijëra neutrinove për disa vite. Nëse neutrinoja sterile do të ekzistonte, ajo do të linte një “gjurmë” të qartë. Rezultatet tregojnë se kjo nuk ndodhi, duke e përjashtuar këtë hipotezë me 95% siguri.
Neutrinot njihen në tre tipa ose “shije”: elektron, muon dhe tau, dhe ato mund të shndërrohen nga një lloj në tjetrin. Disa eksperimente më të hershme, si LSND dhe MiniBooNE, kishin sugjeruar anomali që nuk shpjegoheshin me vetëm tre neutrino, çka solli hipotezën e neutrinos steril.
Të dhënat e MicroBooNE, të mbledhura nga viti 2015 deri më 2021, janë më të besueshmet deri tani sepse përdorin një detektor të vetëm dhe dy burime rrezesh. Edhe pse ky rezultat përjashton një shpjegim të rëndësishëm, misteri i sjelljes së neutrinove ende mbetet i hapur.
Përveç kërkimit për “fizikë të re”, eksperimenti po ndihmon edhe në përmirësimin e studimit të ndërveprimit të neutrinove me argonin e lëngshëm, gjë që do të jetë thelbësore për eksperimentet e ardhshme ndërkombëtare.







