Ballina Opinion Sondazhi/ 20 përqind kanë drejtuar mjetin të dehur, Zaloshnja: Alkooli është vrasësi...

Sondazhi/ 20 përqind kanë drejtuar mjetin të dehur, Zaloshnja: Alkooli është vrasësi kryesor në rrugë

22
0

Gjatë këtij viti, aksidentet rrugore në vend kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Sipas INSTAT për periudhën Janar–Tetor 2025, aksidentet janë ulur me 16.5% krahasuar me një vit më parë.

Aksidentet rrugore dhe numri i të aksidentuarve

Periudha Gjithsej

Janar-Tetor 2024 1.370

Janar-Tetor 2025 1.144

Ndryshimi vjetor (%) -16.5%

Pavarësisht shifrave pozitive, drejtimi i mjeteve nën efektin e alkoolit vazhdon të mbetet një nga rreziqet më serioze në rrugë. Sipas një sondazhi të fundit, 20% e të pyeturve thanë se kanë drejtuar apo udhëtuar me një drejtues që kishte konsumuar alkool.

“Alkooli është vrasësi kryesor, sepse dikush që drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit apo drograve, e ka propabilitetin dy herë më të madh për aksident. Sipas një sondazhi që bëra para pak javësh, 20% e të anketuarve që kishin udhëtuar muajin e fundit si drejtues automjeti apo si pasagjerë, thanë se kishin drejtuar vetë automjetin nën ndikimin e alkoolit apo në një automjet që drejtuesi kishte pirë. Në Amerikë, në një sondazh të përafërt kjo shifër ishte 13%, ata kishin në sondazh vetëm drejtuesit jo pasagjerët, për arsye privatësie. Faktor tjetër përdorimi i celularit, sidomos në shpejtësi të lartë”, tha studiuesi Eduard Zaloshnja.

Të dhënat tregojnë se në mbi 80% të rasteve, fajtor për aksidentet mbeten vetë drejtuesit e mjeteve. Më problematikët janë të rinjtë 25–34 vjeç, që përbëjnë gati 23% të aksidenteve. Ndërkohë, për numrin më të lartë të viktimave dhe të plagosurve, Tirana mban vendin e parë, e ndjekur nga Lezha, Vlora dhe Fieri.

Aksidentet rrugore, sipas moshës së drejtuesit të mjetit

PERIUDHA 25-34 VJEÇ 0-24 VJEÇ 45-59 VJEÇ

Janar-Tetor 2024 349 279 258

Janar-Tetor 2025 270 239 238

Ndryshimi vjetor (%) -22.6 % -14.3% -7.8 %

TE VDEKUR DHE TE PLAGOSUR SIPAS QYTETEVE

QYTETI VITI NUMRI

Tirana Janar-Tetor 2025 433

Lezha 240

Vlora 141

Fieri 136

Shkodra 122

Durresi 120

Ekspertët u bëjnë sërish thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Sipas tyre, rripi përgjysmon rrezikun e humbjes së jetës dhe ul ndjeshëm plagosjet e rënda.

“Këtë vit në sondazhin e bërë para disa javësh, 80% e të anketuarve kanë përdor rripin e e sigurisë ç’ka ka bërë që të kemi më shumë plagosje se sa të vdekur. Përdorimi i rripit të sigurisë e përgjysmon propabilitetin e vdekjes. E ulë me 28% plagosjen e rëndë. Jo vetëm që shpëton jetën, por edhe mundësin e invaliditetit, e cila është kosto për familjen, ulje të cilësisë së jetesës dhe më pak kosto për shtetin”, u shpreh Zaloshnja.