Ballina Aktualitet Zjarri dëmtoi burimin e jetesës, në zonën e Delvinës shumë familje merren...

Zjarri dëmtoi burimin e jetesës, në zonën e Delvinës shumë familje merren me mbledhjen e bimëve medicinale

26
0

Në Delvinë, mbledhja e bimëve medicinale ka qenë për dekada një traditë që ka ushqyer shumë familje të zonës.

Vera, një pensioniste dhe agronome me profesion, është një prej atyre grave që ia ka kushtuar gjithë jetën natyrës. Edhe sot, në moshë të thyer, ajo vijon të mbledhë e të grumbullojë bimë mjekësore, një profesion që e nisi që e re dhe që nuk e ka braktisur kurrë.

Vera përmend edhe një bimë të rrallë, që rritet vetëm në brigje dhe shfrytëzohej prej vitesh për vlerat e saj kurative. Por këtë vit, edhe ajo ka munguar pothuajse krejtësisht.

Shkaku kryesor sipas saj është dëmtimi i zonës nga zjarret, të cilat prekën një pjesë të madhe të pyjeve dhe livadheve të Delvinës gjatë verës. Flakët shkatërruan habitatet ku mbijnë shumë nga këto bimë të ndjeshme, duke ulur prodhimin dhe duke vënë në rrezik vazhdimësinë e tyre.

Ndërsa tregu i bimëve mjekësore në Delvinë po përballet me sfida, në nivel kombëtar ky sektor mbetet një nga më të rëndësishmit. Sipas të dhënave të sektorit, Shqipëria kultivon dhe mbledh rregullisht rreth 186 lloje bimësh medicinale dhe aromatike, nga më shumë se 330 specie që rriten natyrshëm në vend. Pjesa dërrmuese e tyre shkojnë për eksport, duke e renditur Shqipërinë ndër prodhuesit më të njohur të rajonit, një potencial që banorët e Delvinës thonë se duhet mbrojtur për të mos humbur një traditë të tërë brezash.