Ballina Aktualitet Aeroporti 1,1 milionë € në Korçë shumë larg vizionit 3D të fushatës

Aeroporti 1,1 milionë € në Korçë shumë larg vizionit 3D të fushatës

26
0

Nga Esmeralda Topi

Në fushatën elektorale të vitit 2023, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, prezantoi për qytetarët projektin e aeroportit Turistik dhe Sportiv në Lumalas, përmes një videoje 3D që tregonte pistën, terminalin, godinën e administratës dhe hapësirat për aktivitete ajrore. Premtimi ishte se aeroporti do të bëhej “realitet i prekshëm” dhe do të nxisë turizmin rajonal dhe sportet e aventurës.

Pas një viti e gjysmë, Bashkia e Korçës e cilëson projektin 1.1 milionë euro të përfunduar fizikisht. Sipas institucionit, aeroporti ndodhet në fazën e çertifikimit, një proces i domosdoshëm për të mundësuar operimin e fluturimeve.

“Përgjegjës për mirëmbajtjen dhe operimin e tij do të jetë Bashkia Korçë me mbështetjen e Autoritetit të Aviacionit Civil, të cilët bëjnë dhe çertifikimin e fushës”, pohon Bashkia e Korçës.

Aeroporti ndodhet në fshatin Lumalas, rreth 7.5 kilometra larg Korçës dhe ndërhyrja u bë në pistën historike ekzistuese të aviacionit të këtij qyteti. Investimi do të shërbejë për sporte ajrore, aktivitete turistike dhe raste emergjencash. Megjithatë, bashkia pranon se ende nuk ka marrëveshje me Shoqatën Shqiptare të Aeronautikës apo operatorë të tjerë.

Sipas bashkisë, plani për funksionimin e aeroportit dhe për aktivitetet sportive do të bëhet i ditur pasi të përfundojë çertifikimi.

Verifikim në terren 

Verifikimi i Faktoje këtë vjeshtë tregoi se pamja reale e aeroportit është shumë larg asaj që u prezantua në video 3D të kryebashkiakut Sotiraq Filo.

I vetmi element që përputhet me projektin 3D është godina e administratës dhe kontrollit, e cila është përfunduar fizikisht. Megjithatë, edhe asaj i mungojnë shumë detaje që shfaqen në vizualizimin e fushatës, veçanërisht në ambjentin e jashtëm.

Kur krahasojmë pamjen reale të terrenit me projektin 3D të prezantuar nga Filo në fushatë, bien në sy ndryshimet e mëdha.

Pista, e cila në 3D duket e pasur me çdo element, në terren ka vetëm një gardh rrethues rrjete metalike që mund të ngatërrohet me rrethimet e zakonshme që bëjnë fermerët për të ndarë tokat nga njëri tjetri.

Pista nuk është aspak e dallueshme si në videon 3D, ndërkohë që bie në sy veçanërisht mungesa e vijëzimeve.

Për më tepër, gjatë shirave të rrembyeshëm të nëntorit, pjesa e pistës u përmbyt nga uji, duke e shndërruar hapësirën e aeroportit pothuajse në një port të vogël. Situatë kjo që nxori në pah mungesën e përgatitjes për kushte të tilla atmosferike.

Përfundim

Edhe pse Bashkia e Korçës e konsideron projektin fizikisht të përfunduar, krahasimi me video 3D tregon qartë se realiteti është shumë larg vizionit të fushatës. Premtimi i kryebashkiakut për një aeroport “të prekshëm” mbetet pjesërisht i mbajtur, pasi infrastruktura ka progres fizik, por funksionimi praktik dhe aktivitetet ajrore nuk kanë filluar ende. /Faktoje/