Ballina Bota Akti i guximit që preku Australinë: Kush është Ahmed al Ahmed, myslimani...

Akti i guximit që preku Australinë: Kush është Ahmed al Ahmed, myslimani që ndaloi sulmin në Bondi Beach dhe u plagos dy herë

39
0

Një akt i jashtëzakonshëm guximi ka prekur opinionin publik australian dhe më gjerë, pasi një 43-vjeçar mysliman u përball sot  me një nga autorët e sulmit terrorist të ndodhur në Bondi Beach të Sidneit, gjatë një aktiviteti hebraik për festën e Hanukkah-ut.

Ahmed al Ahmed, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një dyqani frutash, nuk hezitoi të ndërhyjë në momentet më kritike të sulmit. Ai iu afrua nga pas njërit prej sulmuesve, i rrëmbeu armën dhe e largoi nga vendngjarja, duke shmangur pasoja edhe më tragjike. E gjithë skena u filmua dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

Gjatë ndërhyrjes, Ahmed u qëllua dy herë dhe u dërgua me urgjencë në spital. Fatmirësisht, sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Familjarët e tij kanë konfirmuar se ai nuk ka pasur asnjë përvojë të mëparshme me armë zjarri.

“Për ne ai është hero. Lutemi që të shërohet sa më shpejt,” është shprehur një kushëri i tij, duke bërë të ditur se gjendja shëndetësore e 43-vjeçarit është e qëndrueshme.

Autoritetet australiane dhe mediat vendase e kanë vlerësuar lart veprimin e tij. Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, u shpreh se guximi i Ahmed al Ahmed ka shpëtuar jetën e shumë njerëzve.

Sulmi në Bondi Beach ishte i drejtuar ndaj komunitetit hebre dhe përfundoi me 11 viktima dhe 29 të plagosur, përfshirë edhe dy efektivë policie. Një nga autorët u neutralizua për vdekje, ndërsa një tjetër u arrestua në gjendje të plagosur.

Ndërkohë, komuniteti mysliman në Australi e dënoi ashpër aktin terrorist dhe shprehu solidaritet të plotë me viktimat, ndërsa historia e Ahmed al Ahmed po shihet gjerësisht si një simbol i guximit dhe humanizmit përtej besimit fetar.