Një përplasje e nisur me “batutë” dhe e mbyllur me nervozizëm përshkoi të dielën e kryeministrit Edi Rama.
Gjithçka nisi nga një deklaratë e kryeministrit Rama në podkastin “FLASIM”, ku ai rrëfeu një episod që lidhej me agjentë të BKH-së, të cilët kishin mbërritur në Kryeministri për të ndjekur nga afër ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila kishte pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Duke iu referuar agjentëve si “trimosha që nuk linin patllaket jashtë”, Rama deklaroi se ata ishin përplasur me Gardën e Republikës, pasi refuzonin të hynin në ambientet e Kryeministrisë pa pistoletat e tyre.
“Nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem te bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken te dera sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, u shpreh Rama në podkast.
Pas disa orësh, në një reagim zyrtar, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaroi se episodi për të cilin foli kreu i qeverisë kishte ndodhur më 20 nëntor të këtij viti. Sipas BKH-së, tre hetues të saj shkuan në Kryeministri për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra, të caktuar nga GJKKO për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
BKH bëri të ditur se, “në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit”. Më tej, në deklaratë thuhet se njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarime mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve, ndërsa Garda i ka orientuar që ato të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë. “Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, thuhet në reagimin zyrtar.
Menjëherë pas deklaratës së BKH-së, kryeministri Edi Rama reagoi sërish, duke theksuar se ai nuk i kishte kritikuar hetuesit për mbajtje armësh pa leje, por për atë që e cilësoi si padije etike dhe ligjore, e cila, sipas tij, i kishte shtyrë ata të kërkonin të hynin të armatosur në Kryeministri, “siç e thonë edhe vetë në deklaratë”. Rama shtoi se, sipas tij, ky nuk ishte një rast i veçuar, por pjesë e një problematike më të gjerë që lidhet me funksionimin e institucioneve të drejtësisë së re.
Shkëmbimet e deklaratave në distancë nuk e fshehën dot tonin nervoz të Edi Ramës, i cili në të njëjtën ditë përshëndeti vendimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që ndoqën këshillat e tij për vendimin e marrë dy ditë më parë, ndërsa kritikoi “etikën” e punonjësve të BKH-së për të njëjtën çështje. Tashmë është bërë e zakonshme që Edi Rama të mbrojë ato segmente të drejtësisë që i vijnë për shtat punës së tij dhe të sulmojë ato që i prishin qetësinë.
Edhe pse mundohet që gjatë gjithë kohës të japë përshtypjen e një drejtuesi qeverie që nuk i komenton vendimet e gjykatave dhe të drejtësisë, ai dhe Sali Berisha mezi presin rastin të komentojnë, bullizojnë apo t’u vendosin epitete prokurorëve dhe gjyqtarëve. Siç ishte edhe rasti i sotëm, kur iu desh të sqarojë dy herë për një të diel se si bënin detyrën oficerët e BKH-së.
Ndërkohë që një kryeministër as nuk duhet të merret me thashetheme korridoreve. Nëse ka vërejtje për qasjen e tyre në zyrat e shtetit, thjesht duhet të bëjë një ankesë zyrtare dhe ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. E jo të bëjë batuta nëpër podkaste, a thua se po flet për padrejtësi të bëra në një show televiziv e jo për një nga çështjet më të nxehta të drejtësisë dhe politikës shqiptare./vna







