Ballina Europë Meloni: Nuk kemi nostalgji për Bashkimin Sovjetik, mbështesim Ukrainën

Meloni: Nuk kemi nostalgji për Bashkimin Sovjetik, mbështesim Ukrainën

28
0

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbylli sot tubimin e partisë së saj, Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia), në kryeqytetin italian, duke adresuar çështje të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike.

Meloni u shpreh se Italia ka qëndruar gjithmonë pranë Ukrainës, duke e cilësuar luftën e saj kundër “neo-imperializmit me karakter sovjetik” si një kauzë të drejtë.

“Këtu askush nuk ndjen nostalgji për Bashkimin Sovjetik, i cili ndikoi në gjysmën e Evropës për gjysmë shekulli”, tha ajo.

Duke folur për marrëdhëniet transatlantike, kryeministrja theksoi:

“Ne i dhamë sigurinë tonë Shteteve të Bashkuara, duke supozuar se kjo do të ishte falas, por nuk ishte”.

Ajo gjithashtu rikujtoi mbështetjen e saj për një NATO evropiane të fuqishme, që mund të dialogojë me të gjitha fuqitë e mëdha të botës në mënyrë të barabartë dhe me dinjitet.

Në fjalimin e saj, Meloni vuri në dukje sukseset e tre viteve të qeverisjes së aleancës konservatore që ajo drejton. Sipas saj, agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit po rishikojnë Italinë në kategorinë më të lartë, duke e bërë më tërheqëse për investime. “Investimet prej 80 miliardë eurosh në këto tre vjet kanë krijuar vende pune, dhe normat e interesit për obligacionet tona qeveritare po ulen, duke kursyer miliarda euro që mund t’i përdorim për nevojat e italianëve”, tha Meloni.