Ballina Ekonomia Paqja fiskale, fituan ata që abuzuan ndër vite. A do të ankimohet...

Paqja fiskale, fituan ata që abuzuan ndër vite. A do të ankimohet në Kushtetuese?

0
19

Mes kundërshtish të forta, nga BE, FMN, Dhoma Amerikane e Tregtisë, ekspertë dhe qëndrimet kundër të opozitës, Parlamenti miratoi këtë javë ligjet që përfshijnë nismën e “Paqes Fiskale”.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ishte grupimi i parë dhe i vetëm i biznesit që doli publikisht kundër kësaj nisme, në prag të miratimit të saj në Kuvend.

Neritan Mullaj drejtor i dhomës Amerikane në një intervistë për emisionin E-ZONE tha se qëndrimi i dhomës kishte për qëllim sensibilizimin e ligjvënësve për rreziqet që sjellin ligjet e kësaj nisme.

“Në prag të miratimit të këtyre ligjeve në Kuvend, ne dolëm me një qëndrim zyrtar, pasi donim që të sensibilizonim deputetët lidhur me risqet që mbart kjo nisëm ligjore. Por mesa duket ky sensibilizim nuk pati rezultat. Për ne shqetësimi kryesor lidhet me pabarazinë që krijon në treg, mes tatimpaguesve korrektë, që kanë zbatuar ligjin dhe atyre që nuk e kanë zbatuar atë. Këta të fundit dolën më të favorizuar. Kjo për ne do të prodhojë dekurajim të tatimpaguesve të rregullt”, tha Mullaj në Vizion Plus

Por varianti final i miratuar i paqes fiskale, nuk mori në konsideratë disa propozime që u bënë nga të dy kampet politike, propozime që në thelb kërkonin më shumë transparencë për përfituesit dhe vendosnin rregulla më të qarta, për të ndaluar legalizimin e parave me orgjinë të dyshimtë.

Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan që Presidenti të mos e dekretojë këtë ligj, në të kundërt do të ezaurohen hallkat e ankimimit deri në Gjykatën Kushtetuese. Por mbetet për tu parë edhe qëndrimi i Dhomave të Tregtisë, nëse do të vendosin që edhe ata të ankimojnë këtë ligj.

“Unë nuk mund t’ju them tani se cili do të jetë hapi i mëtejshëm i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ne kemi një bord dhe do të mblidhemi për të vendosur për qëndrimin tonë më tej. Ajo që themi me siguri është fakti se ky ligj ka rreziqe serioze për ekonominë. Përveç parabarazisë, kjo nisëm krijon një disbalancim edhe në politikën e taksave e cila, duke ofruar lehtësi bizneseve që të rideklarojnë ato që kanë shmangur ndër vite me një normë tatimi të reduktuar. Ndërkohë biznesi i ndershëm ka paguar norma tatimore 15 dhe 23 %. Paralelisht këto para që do të rideklarohen nuk shoqërohen dhe me dokumentacion, çka lë vend për legalizim parash me orgjinë të dyshimtë”, tha kreu i Dhomës Amerikane.

Në total janë 202 mijë biznese që janë debitor ndër vite në administratën fiskale, me një borxh prej 1.6 miliard lekë.