Ballina Kronika Zbardhen bisedat e djalit të ish-deputetit të PS në trafik droge, Rexhep...

Zbardhen bisedat e djalit të ish-deputetit të PS në trafik droge, Rexhep Rraja: “Po mshkru dikush që ka fut gjona për Turqi. Se qëllo naj njoni përgjim o vlla na fikin”

61
0

Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja, rezulton të jetë i përfshirë në një rrjet trafiku droge që u godit pak ditë më parë nga SPAK. Bashkë me disa anëtarë të tjerë të grupit, përfshirë dhe kushërinjtë dhe xhaxhain e tij, Rexhep Rraja rezulton të ketë kryer trafik marijuanë nga Shqipëria drejt Turqisë. Bëhet fjalë për një sasi prej 236 kg marijuanë, që u zbulua dhe sekuestrua nga policia në Kapikule të Turqisë më 26 janar 2021.

Të dhënat kundër grupit kriminal janë komunikimet e marra nga aplikacioni i koduar Sky ECC. Rexhep Rraja rezulton se mbante kodet “XR1” dhe “New Sky”.

Në këtë episod, SPAK thotë se ka dyshime të arsyeshme se të hetuarit Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Iamandi Sokol Qaja, Marvin Bushati, Bujar Sefa alias Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani dhe Jani Cavo kanë kryer veprën penale të trafikut të drogës, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në dosjen e SPAK janë zbardhur komunikime mes të dyshuarve. Gazmir Rraja informon Përparim Rrajën se shoferi ishte kapur: “Ka ra rruga. Ka mor shoferi nusen e vet në tel, i ka thënë me kan kap”, shkruan Gazmir Rraja. “Po më tha Xheni”, përgjigjet Përparimi. “Tjena mirë”, shton Gazmiri.

SPAK thotë se një nga porositësit kryesorë të ngarkesës së lëndës narkotike është Rexhep Rraja.

Gazmir Rraja komunikon me Rexhep Rrajën dhe e pyet nëse kishte dalë lajmi i arrestimit të shoferit të kamionit dhe sekuestrimit të drogës: “A ka dal me naj gazet? A është kap a jo?”, shkruan ai. Rexhepi i përgjigjet: “Ka cu rob, ka pa kamionin aty te parku, s’dijmë hala asgjë”.

Të dyshuarit flasin edhe për mënyrën e paketimit të lëndës narkotike, me qëllim që të mos ngatërrohen me paketat e bashkëpunëtorëve të tjerë. Pakot duhet të bëheshin me shenja të qarta.

I dyshuari Aldo Gjini ishte ngarkuar me detyrën që të bënte shenjat dalluese: “Rois po i mbyll vetë. Ka blerë qeset e veta e po i mbyll”, shkruan njëri nga anëtarët e grupit.

“Ku do të takohemi të vëjnë shenjat e tjera?”, shkruan i dyshuari Jani Cavo. “Fol me Teon e ke te Brazili”, përgjigjet një tjetër anëtar.

Cavo urdhëron një prej anëtarëve lidhur me mënyrën e paketimit të drogës: “Se po bëj debate unë këtej, boll u mora me ty. Ku të vijnë të shohin mallin e vetë e ti vëjnë shenjat? Shokët e mi thonë: i kemi mbyllur të gjitha kutitë me qese alumini në sy të Teos. Mos bëj asnjë lëvizje pa ardhur me pa mallin ata dhe me konfirmon që është i tyre dhe ti vë shenjat, ndryshe është përgjegjësi e jotja e gjitha”.

Ai i ka dërguar një mesazh Rexhep Rrajës, që pretendon se “vetëm shenja si është bërë”.

Rexhep Rraja komunikon më pas me një person të paidentifikuar nga ana e SPAK: “Unë me ta vërtetu ty që të mbushet menja të tregoj kutitë e mija, ma shumë nuk të jap detaje”, i shkruan ai Rexhep Rrajës. Ky i fundit i thotë: “Llafe kot s’dëgjoj unë, o plak. Mthe për mbrëm ose sot, mjep detaje. Dhe duhet të kesh detaje po pate gjona”.

Rraja i shkruan bashkëbiseduesit se ka humbur bastin: “Pse janë veçant tujat? Si janë veçant? Nca kuptimi? Unë isha ke kamioni, tu e pa. Ti mthe kamion serb, kamioni alla shqiptare. Po a ke fut mall, mthuaj detajet se i din”, këmbëngul Rraja.

Pas kësaj bisede, Rexhep Rraja i shkruan Aldo Gjinit se “po mshkru dikush që ka fut gjona për Turqi. Se qëllo naj njoni përgjim o vlla na fikin”.

Pavarësisht përpjekjeve për ta dërguar drogën në destinacion, grupi kriminal nuk ka arritur, pasi sasia e drogës është kapur dhe shoferi është arrestuar e rezulton të jetë dënuar nga drejtësia turke. Rexhep Rraja dhe disa nga anëtarët e tjerë të grupit u prangosën disa ditë më parë në Tiranë. Ata akuzohen edhe për dy episode të tjera trafiku, njëri prej të cilëve kokainë.