Anuela Ristani i drejtohet KQZ-së: a duhet të paguhet Erion Veliaj ndërsa ndodhet në burg?!
Me një shkresë zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka kërkuar interpretim ligjor mbi një çështje që Bashkia pranon se e ka tashmë në praktikë: vijimin ose jo të pagesës së pagës mujore për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në dokumentin e depozituar pranë KQZ-së, Bashkia e Tiranës sqaron se nga data 11 shkurt 2025 dhe në vijim, gjatë gjithë periudhës që masa shtrënguese ka qenë në fuqi, paga mujore e Erion Veliajt është kryer. Pikërisht kjo situatë e krijuar në praktikë e ka shtyrë Bashkinë të kërkojë një sqarim zyrtar mbi bazën ligjore të kësaj pagese.
Shkresa mbështetet në disa referenca juridike. Së pari, Bashkia i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 3 nëntor 2025, me të cilin u shfuqizua vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra. Sipas Bashkisë, ky vendim e ka lënë Veliajn formalisht në statusin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të zgjedhur nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, pa një akt përfundimtar që t’i heqë mandatin.
Nga ana tjetër, dokumenti pranon se situata është problematike, pasi Veliaj ndodhet në pamundësi faktike për të ushtruar funksionin. Për këtë arsye, Bashkia i referohet procedurave standarde të pagesës së pagave në sektorin publik, të parashikuara në Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Në pikat 69–71 të këtij udhëzimi theksohet se listëpagesat duhet të mbështeten në dokumentacion që provon të drejtën ligjore për pagë, si dhe në akte që justifikojnë mungesën në punë.
Në këtë kontekst, Anuela Ristani i kërkon KQZ-së të sqarojë nëse këto dispozita zbatohen edhe për një funksionar të zgjedhur vendor, i cili nuk është shkarkuar, por ndodhet në arrest dhe nuk ushtron realisht detyrën. Kërkesa synon të përcaktojë cilat akte ligjore dhe nënligjore janë të zbatueshme dhe nëse e drejta për pagë buron thjesht nga mandati i fituar me zgjedhje apo lidhet edhe me ushtrimin efektiv të funksionit.
Në thelb, shkresa e Bashkisë është një pranim se pagesa e pagës ka vijuar deri tani dhe një përpjekje për të marrë një interpretim zyrtar që të legjitimojë ose të ndalë këtë praktikë. Duke ia kaluar çështjen KQZ-së, Bashkia shmang marrjen e një vendimi të drejtpërdrejtë dhe e zhvendos përgjegjësinë te institucioni që administron statusin e të zgjedhurve vendorë.
Përgjigjja e KQZ-së pritet të ketë peshë jo vetëm për rastin e Erion Veliajt, por edhe për raste të ngjashme në të ardhmen, duke sqaruar nëse mandati formal i një të zgjedhuri mjafton për të garantuar pagën publike, edhe kur ushtrimi i funksionit është praktikisht i pamundur./vna







