Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit K. Z., 44 vjeç dhe M. T., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur.
Në vijim të informacionit të dhënë mbi aksidentin e ndodhur më datë 12.12.2025, në rrugën “Petrit Llaftiu”, informojmë se është identifikuar drejtuesi i motomjetit elektrik që përplasi këmbësoren, konkretisht një 17-vjeçar, për të cilin në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Ndërkaq, këmbësorja, shtetasja D. B. është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. D., 21 vjeç, banues në Fier, pasi në PKK Port Durrës, në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 12 155 euro dhe disa shishe me verë, të padeklaruara në organet kompetente.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. S., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta ,ka goditur me grushte, një 51-vjeçar;
-G. K., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur;
-D. C., banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortit të saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh shpallën në kërkim shtetasin V. Z., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vjedhur në një banesë në lagjen nr. 13. Punohet për kapjen e 37-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë:
-shpallën në kërkim shtetasin A. K., 35 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një 40-vjeçar. Punohet për kapjen e 35-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. P., banuese në Tiranë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. E., banues në Durrës, pasi dyshohet se me zjarrin që ka ndezur për të pastruar tokën e tij, ka ndotur mjedisin përreth.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.







