Imazhi i Tokës nga hapësira ka qenë gjithmonë një pamje mbresëlënëse. Kur u shkrep për herë të parë në vitin 1972, nga një nga misionet më mitike të shkencës së hapësirës, ai tregonte një planet të pastër, të ndriçuar nga dielli, pa shenja të dukshme të ndërhyrjes njerëzore. Ndërkohë, sot, me mijëra satelitë që rrotullohen rreth saj, pamja ka ndryshuar ndjeshëm.
Aktualisht, më shumë se 10,000 satelitë aktivë janë në orbitën e Tokës, duke kryer funksione që variojnë nga komunikimi dhe transmetimi i të dhënave deri tek shërbime ushtarake dhe shkencore.
Fotoja që po qarkullon në rrjet, ku krahasohet Toka në vitin 1972 me atë në vitin 2025 e rrethuar nga mijëra objekte, nuk është një imazh real, por një ilustrim grafik që synon të tregojë rritjen e ndjeshme të satelitëve dhe mbeturinave hapësinore në orbitë.
Megjithatë, fakti që numri i satelitëve ka kaluar 10 mijë dhe shqetësimet për sigurinë e hapësirës janë reale, konfirmohet nga NASA, ESA dhe mediat ndërkombëtare.
Sipas specialistëve, deri në vitin 2025 pritet që numri i satelitëve aktivë të rritet ndjeshëm, duke përfshirë një pjesë të madhe të orbitës që do të komandohet nga Starlink, projekti i SpaceX për ofrimin e internetit global.
Megjithatë, ky rritje ka sjellë shqetësime serioze për sigurinë e hapësirës dhe rrezikun e mbeturinave hapësinore. Ato, që janë pjesë e satelitëve të dekompozuar ose të braktisur, mund të krijojnë rreziqe për anijet kozmike dhe misionet e ardhshme, duke shkaktuar mundësinë e aksidenteve që mund të kenë pasoja të rënda. Çështja e mbeturinave hapësinore është bërë një nga sfidat më të mëdha për shkencën dhe teknologjinë, ndërsa kërkimet për zgjidhje janë në vazhdim.







