Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), znj. Risena Xhaja, mbajti sot fjalën përshëndetëse në Konferencën Vjetore të organizuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në fjalën e saj, znj. Xhaja theksoi se viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime pozitive për AAPSK, duke u shoqëruar me rritje të transparencës, përmirësim të procedurave dhe forcim të standardeve të llogaridhënies në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar, të cilin Kryeadministratorja e cilësoi si një instrument të drejtpërdrejtë për kthimin e pasurive të paligjshme në vlerë për shoqërinë. Sipas saj, ky proces nuk përbën vetëm një mekanizëm administrativ, por një politikë me ndikim të qartë social, që kontribuon në forcimin e kohezionit social, rritjen e solidaritetit dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë.
“Ripërdorimi social i pasurive është mënyra se si shteti i përgjigjet padrejtësive dhe pabarazive, duke i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të interesit publik,” u shpreh znj. Xhaja, duke nënvizuar se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në perceptimin publik ndaj AAPSK, si një institucion me rolaktiv në shërbim të shoqërisë.
Kryeadministratorja theksoi gjithashtu afrimin e agjencisë me komunitetet dhe organizatat e shoqërisë civile, duke e konsideruar komunikimin, transparencën dhe hapjen ndaj publikut si elementë kyç për ndërtimin e besimit dhe rritjen e efektivitetit institucional.
Duke folur për perspektivën e vitit 2026, znj. Xhaja bëri të ditur se AAPSK synon të forcojë më tej ndikimin social të pasurive të rikthyera në përdorim publik, të thellojë standardete transparencës dhe të zgjerojë bashkëpunimin me aktorët që veprojnë në terren për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen sociale.
Konferenca Vjetore e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shërbeu si një platformë dialogu dhe reflektimimbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025 dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile në luftën kundër diskriminimit.







