Ballina Opinion Myslimani hero

Myslimani hero

25
0

Nga Ermal Peçi

Një “akt terrorist” i motivuar nga antisemitizmi – ky ishte klasifikimi zyrtar i ngjarjes në Sydney. Një përkufizim i domosdoshëm për drejtësinë, por i pamjaftueshëm për të kuptuar realitetin njerëzor që u shfaq mes kaosit dhe dhunës.

Në mes të tmerrit ndodhi diçka që sfidoi narrativat e gatshme. Një qytetar me besim islam, pa u menduar dy herë, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar jetë të pafajshme. U plagos, por nuk u tërhoq. Në atë çast, ai nuk ishte “myslimani”, “tjetri” apo “i huaji”. Ishte thjesht njeriu që zgjodhi jetën.

Ky akt i vetëm rrëzon një nga gënjeshtrat më të rrezikshme të kohës sonë: se dhuna paska fe, se besimi qenka burimi i krimit, se Zoti paska anë. Jo. Ekstremizmi nuk ka fe. Ai e përdor fenë si alibi, si flamur të rremë për të justifikuar urrejtjen, dhunën dhe shkatërrimin.

Ekstremizmi – fetar, politik apo ideologjik – lind nga frika, nga boshllëku moral dhe nga etja për pushtet mbi jetën e tjetrit. Ai ushqehet me ndarje, me etiketime dhe me demonizimin e njeriut përballë. Por feja, në thelbin e saj, nuk është kurrë ekstremiste. Ajo është udhërrëfyes moral, thirrje për mëshirë, përgjegjësi dhe bashkëjetesë. Jo rastësisht, Kurani urdhëron:

“Zoti urdhëron drejtësinë dhe bamirësinë dhe ndalon dhunën dhe padrejtësinë.”

Zoti, në çdo besim, fal. Zoti nuk vret. Zoti nuk hakmerret. Hakmarrja është dobësia e njeriut, jo vullneti hyjnor. Kur dikush vret në emër të Zotit, ai nuk po i bindet Zotit, po e përdor Atë si mbulesë për errësirën e vet. Kurani është i prerë në këtë pikë: “Kush vret një njeri pa qenë ai vrasës apo përhapës shkatërrimi në tokë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin; e kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.”

Prandaj, heroi i Sydney-t është më shumë se një individ. Ai është një mesazh i gjallë për shoqëritë tona. Ai na kujton se besimi i vërtetë nuk matet me fjalë, por me vepra. Nuk shpallet me zë të lartë, por provohet në çastin kur rrezikon gjithçka për tjetrin. Ai nuk pyeti kë po shpëtonte, çfarë feje kishin, çfarë ngjyre apo prejardhjeje. Ai pa vetëm njerëz në rrezik.

Shoqëritë tona kanë një detyrë të madhe: të mos bien pre e ekstremiteteve, të mos ngatërrojnë krimin me fenë dhe të mos lejojnë që urrejtja të vishet me petkun e shenjtërisë. Sepse sa herë e bëjmë këtë, u shërbejmë pikërisht atyre që kërkojnë kaos dhe përçarje.

Në fund, heroizmi i këtij myslimani nuk është përjashtim. Ai është norma e heshtur e miliona besimtarëve që çdo ditë jetojnë paqen, solidaritetin dhe dashurinë për tjetrin. Por ndryshe nga ekstremistët që bërtasin, heronjtë e vërtetë veprojnë. Ndonjëherë plagosen, humbin jetën e tyre, sakrifikojnë, për të na kujtuar se njerëzimi është mbi çdo ideologji, mbi çdo ekstremitet dhe mbi çdo keqpërdorim të besimit. Zoti nuk njihet nga britmat e atyre që vrasin në emrin e Tij, por nga heshtja dhe guximi i atyre që shpëtojnë jetë dhe aty ku shpëtohet jeta, aty është edhe ZOTI.