Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh sot, se në Shqipëri po qarkullon një nëntip i ri i gripit A, që përhapet më shpejt dhe shkakton më shumë persona të prekur në një kohë të shkurtër.
Brataj e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste televizive, ndërsa theksoi se e veçanta e sezonit të gripit këtë vit, është fakti që ai ka “trokitur” 3-4 javë më shpejt, krahasuar me vitet e kaluara.
“Sezoni i gripit është në kohën e vet, por e veçanta e këtij sezoni është që në Evropë dhe në vende të tjera ka mbërritur tre apo katër javë më parë se zakonisht. Ardhja para ka ndikuar disi. Në këtë sezon ka një nëntip të ri të gripit A, H3N2, që është nënvarianti K, i cili është më virulent në përhapje dhe shkakton më shumë të infektuar në një kohë më të shkurtër”, tha ai.
“Në Angli, në Irlandë u mbyllën edhe disa shkolla për shkak të numrit të madh të nxënësve që mungonin, por edhe stafit pedagogjik që ishte i prekur. Në momentin që bëhen bashkë një infeksion viral, me gripin dhe sëmundjet e tjera si RSV, por edhe Covidi që ka qenë dhe është prezent, kjo çon në një seri virusesh që bashkëjetojnë këto momente. Gripi këtë vit ka nënvariantin e ri që përhapet shumë më shpejt dhe shkakton një numër të madh të sëmurësh që mund të jenë të lehtë, të mesëm dhe të rëndë që kanë nevojë për shtrim në spital”, pohoi Brataj.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, theksoi se mes masave që janë të zakonshme nga higjiena, te larja e duarve apo ajrimi i ambienteve, një nga masat mund të jetë edhe mbyllja e shkollave për një kohë të shkurtër, nëse ka numër të lartë nxënësish të prekur në institucionet arsimore.
Veçantia e këtij nëntip gripi, sipas Bratajt është fakti se prek më shumë fëmijët, e këta të fundit janë me imunitet më të ulët për ta luftuar këtë infeksion, për shkak se nuk janë ndeshur më përpara me të.
“Veçori tjetër e këtij tipi është fakti që shumë nga fëmijët janë me një imunitet më të ulët, në kuptimin që nuk e kanë ndeshur këtë nëntip, e sigurisht është një gjë e re për fëmijët që e kapin për herë të parë gripin. Kështu që, infeksioni përhapet më shpejt tek ata, e gjen imunitetin pothuajse zero ose shumë të ulët në krahasim me ata që e kanë kaluar gripin që janë mosha të rritura tani”, tha Brataj./







