Ballina Politika Skandal, Manastirliu vazhdon të sillet si kryebashkiake e Tiranës pa u votuar

Skandal, Manastirliu vazhdon të sillet si kryebashkiake e Tiranës pa u votuar

49
0

Një tjetër episod që ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit dhe autonomisë vendore po zhvillohet në Bashkinë e Tiranës. Të enjten në orën 12:00, Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e vitit 2026, por vetëm pak orë më parë, në orën 18:00 të së mërkurës, Ogerta Manastirliu ka thirrur këshilltarët bashkiakë të majtë në selinë e Partisë Socialiste për të diskutuar pikërisht buxhetin e kryeqytetit.

Ky veprim konsiderohet nga shumë si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në kompetencat e pushtetit vendor, në një kohë kur Manastirliu nuk mban asnjë funksion drejtues në Bashkinë e Tiranës dhe nuk është zgjedhur nga qytetarët si kryebashkiake.

Ogerta Manastirliu u shpall kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës pas vendimit të Këshillit Bashkiak për të propozuar shkarkimin e Erion Veliajt. Edhe pse ky propozim u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe u hodhën hapat për zgjedhje të parakohshme, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi procesin, duke rikthyer Veliajn në detyrë dhe duke shfuqizuar zgjedhjet.

Pavarësisht këtij vendimi, Manastirliu – aktualisht deputete e PS-së – ka vijuar të sillet si kryetare “de facto” e Bashkisë së Tiranës. Në javët e fundit, ajo ka marrë pjesë aktive në takime për buxhetin, ka drejtuar diskutime me qytetarë dhe është prezantuar si figura politike që udhëheq procesin, duke u konfirmuar nga mazhoranca si kandidate në çdo moment që mund të zhvillohen zgjedhje.

Kjo sjellje nuk është e re. Që më 24 nëntor, Manastirliu ka udhëhequr publikisht dëgjesa për buxhetin në zona si Lapraka dhe Kashari, duke folur dhe vepruar sikur të ishte një kryebashkiake e zgjedhur, ndërsa përfaqësuesit zyrtarë të bashkisë qëndronin në plan të dytë. Kjo praktikë është legjitimuar politikisht edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka prezantuar Manastirliun si drejtuese politike të procesit.

Ekspertë të pushtetit vendor e kanë cilësuar këtë situatë si shkelje të hapur të Kushtetutës, ligjeve për vetëqeverisjen vendore dhe Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Pavarësisht kritikave dhe pyetjeve publike, Ogerta Manastirliu nuk ka dhënë sqarime se mbi çfarë baze ligjore drejton këto takime dhe ndërhyn në procesin e buxhetimit të Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa Këshilli Bashkiak pritet të votojë buxhetin 2026, përfshirja e drejtpërdrejtë e një kandidateje të pavotuar në këtë proces po shihet gjithnjë e më shumë si një precedent i rrezikshëm: një bashki e drejtuar politikisht nga jashtë, në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës.