Ballina Kosovë Sulmi në Banjskë/ Prej më shumë 5 muajsh ishte i ndaluar, Serbia...

Sulmi në Banjskë/ Prej më shumë 5 muajsh ishte i ndaluar, Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit të Kosovës

22
0

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

“Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.