Të dhënat e krahasuara të Balkan Barometer 2024 dhe 2025 mbi pagesat joformale, rryshfetet nga bizneset tregojnë se Shqipëria paraqet një përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit në vitin 2025 krahasuar jo vetëm me vitin pararendës, por edhe me shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri, pothuajse të gjitha kategoritë e pagesave joformale shënojnë rritje të fortë nga 2024 në 2025. Perceptimi për pagesat për t’u lidhur ose mbajtur shërbimet utilitare rriten nga 17% biznese në 22%. Ndryshimi më dramatik vihet re te perceptimi te pagesat për të fituar tenderë publikë, që nga 16% biznese në 2024 u rritën në 47% në 2025, një nga nivelet më të larta në rajon.
Edhe më problematike është rritja e bizneseve që perceptojnë pagesat për t’u përballur me inspektimet shtetërore (shëndet, siguri, punë, mjedis): nga vetëm 13% në 2024 në 57% në 2025.
Po ashtu, pagesat për t’u përballur me administratën tatimore dhe doganat rriten nga 23% në 52% biznese, ndërsa ato për gjykatat nga 1 në 32%. Edhe ndikimi mbi legjislacionin dhe aktet nënligjore rritet nga 7 në 25%. Ky përkeqësim shoqërohet me një rënie drastike të përgjigjeve “refuzoj të përgjigjem”, nga 51% në 2024 në vetëm 2 në 2025, çka sugjeron ose rritje të ndërgjegjësimit dhe sinqeritetit të përgjigjeve, ose normalizim të perceptimit të korrupsionit në praktikën e biznesit.
Krahasuar me Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipëria në 2025 shfaq nivele më të larta për tenderat publikë dhe administratën tatimore, ndërsa Bosnja mbetet problematike kryesisht te inspektimet 65% biznese, por pa rritje kaq të forta ndërvjetore sa Shqipëria.
Në Kosovë, edhe pse pagesat për tenderat publikë janë të larta në 2025 (47%, njësoj si Shqipëria), rritjet ndërmjet 2024 dhe 2025 janë më të moderuara dhe niveli i përgjithshëm mbetet më i balancuar.
Maqedonia e Veriut shfaq gjithashtu nivele relativisht të larta në 2025, veçanërisht për inspektimet (53%) dhe administratën tatimore 39% biznese, por sërish pa shpërthimin e njëkohshëm në të gjitha kategoritë si në rastin e Shqipërisë.
Mali i Zi paraqet rritje te inspektimet 46% biznese, por mbetet dukshëm më poshtë Shqipërisë në shumicën e treguesve të tjerë, ndërsa Serbia, ndonëse kishte nivele shumë të larta në 2024 për disa kategori, në 2025 shfaq vlera më të ulëta dhe një përmirësim relativ, sidomos te inspektimet dhe administrata tatimore.
Në terma rajonalë, mesatarja e Ballkanit në 2025 rritet krahasuar me 2024, por Shqipëria dallon negativisht për intensitetin dhe shtrirjen e rritjes, duke u pozicionuar në krye ose pranë kryesimit pothuajse në çdo kategori kyçe të pagesave joformale.
Ndërsa disa vende të tjera shfaqin probleme strukturore në fusha specifike, rasti i Shqipërisë në 2025 sugjeron një përkeqësim të përgjithshëm të mjedisit të biznesit në raport me administratën publike, me një kthesë të fortë krahasuar me situatën e vitit 2024../ekofin.al







