Ballina Dossier Teodor Keko: Në përvjetorin e fitores së demokracisë në Shqipëri, unë figuroj...

Teodor Keko: Në përvjetorin e fitores së demokracisë në Shqipëri, unë figuroj Armik, i Vdekur, Bastard dhe Idiot

21
0

Nga Teodor Keko*

Mars 1994. Dy vjet më parë, së bashku me shumë miq e bashkëidealiste kam qenë në një darkë të thjeshtë, por të shkëlqyer për nga gëzimi dhe humori, te restoranti hotel “Tirana”. Kemi qenë atë natë të gjithë, të gjithë të gëzuar, të gjithë me respekt për njëri tjetrin. Sot jam në apartamentin tim, me tre-katër miq nga ajo tryezë tashmë legjendare e parahistorike, dhe kam një gjendje shpirtërore të keqe. Logjikisht mendoj se në këtë orë të mbrëmjes një pjesë e heronjve të atij 22 marsi janë mbledhur në ndonjë vilë apo restorant luksoz dhe po festojnë Fitoren e Madhe. Unë shoh në sy miqtë e mi, pastaj vetveten, dhe kuptoj të parën, që jam I VDEKUR. Ca ditë të shkuara më kanë dhuruar me rastin e 22 marsit një grusht hekuri dhe një mal me shpifje përveluese, që, po t’i kisha imagjinuar para 22 marsit të vitit 1992, sot kush e di në ç’cep të botës do t’ia kisha mbathur. Jo vetëm që më kanë goditur e fyer me cinizëm dhe ish-miqtë e mi, por pushteti pas ka dënuar të bëhem i gjallë e të përçmohem formalisht! Si je me shëndet, Keko? Edhe mjekët më duhet t’i gjej vetë, mes atyre miqve që më duan. Jam vërtet deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, ama, për Pjetër Arbnorin jam I VDEKUR! Meqë ai nuk është bërë i gjallë, mua s’më bën zemra të them se është i vdekur Pjetri. Larg qoftë, më mirë të jem i vdekur unë, një copë deputet fshatrash, sesa Pjetri i vogël i Kuvendit të madh shqiptar.

Shikoj miqtë në sy dhe ju shpreh ndjenjat e mia të përziera për vetveten

Ti je edhe ARMIK, më thotë butësisht një kolegu im, siç jemi të gjithë ne rreth kësaj tryeze bosh. Pastaj ai më shpjegon ngadalë, meqë më dhemb pak kafka e shembur, se Aleksandër Meksi na ka quajtur ne, «vëllëzër opozitarë», ARMIQ, në radion aq të dashur për mua, deri para atij 22 marsi historik, «Zëri i Amerikës». Unë mahitem. Amerika t’i quajë me gojën e saj ARMIQ opozitarë?! Po pastaj më kujtohet Zef Brozi, me një nga ato thëniet e tij lapidare që Parlamenti Evropian bën mirë mos futë hundët në punët e brendshme të Shqipërisë, dhe qetësohem. Më kujtohet një varg i Jevtushenkos që thotë përafërsisht se edhe përpara Galileut kishte njerëz që e dinin se bota rrotullohet, por ata kishin fëmijë! E kuptoj se e gjithë bota ka halle dhe se në përgjithësi i mat gjërat me metrin e saj.

I VDEKUR dhe ARMIK! Kjo është metamorfoza ime brenda dy vjetëve demokraci. Gruaja ime vë diçka në tavë dhe më atë çast fillon të pastrojë frigoriferin. Ajo mendon për tjetër problem në këtë mbrëmje historike. Do të japë rrogën Pjetri? Pse e shqetësoj, po sa për ARMIK dhe I VDEKUR, këto gjëra duken, bile, ti je dhe diçka tjetër. Ajo konstaton që unë nuk po e kuptoj dhe më shpjegon se kolegët e gazetës «Koha jonë» kanë gjetur një intervistë të Sali Berishës, të botuar më 2 tetor 1993, në gazetën e madhe holandeze «Holanda e lirë», me një tirazh rreth 100.000 kopje, ku opozitarët, në të cilët bëj pjesë edhe unë, quhen nga Berisha IDIOTË dhe BASTARDË! Nuk dua t’i besoj veshëve, do të ishte një çmenduri për mua, po ta pohonte një gjë të tillë Presidenti i shqiptarëve. Por një nga miqtë e mi tund kokën pikëllueshëm. Ai më thotë se gjithçka është e vërtetë dhe se titulli i artikullit është afërsisht «Ata janë përsëri shumë IDIOTË dhe BASTARDË në Shqipëri». Mua më lidhet goja. Vetëm këto dhurata për 22 mars nuk i kisha pritur kurrë! ARMIK, I VDEKUR, BASTARD, IDIOT. Në fakt, janë shumë. Po t’u shtosh edhe ato «RD-ës», «RRUGAÇ», «PIJANEC», «BIZNESMEN I PAMORALSHËM», unë plotësoj kushtet ideale për t’u ekzekutuar në karrige elektrike. Nga seria e medaljeve, të fëlliqura që m’i ka akorduar Berisha, Arbnori, Meksi dhe PD-ja, më mungon vetëm ajo e SPIUNIT.

Është 22 mars, festa e demokracisë shqiptare; janë mbushur dy vjet nga fitorja madhështore. Gruaja pastron frigoriferin, në tryezë nuk ka qejf të flasë askush, ndërkohë që të gjithë i tremben 22 marsit në ardhje, përvjetorit të tretë të demokracisë. Një zot e di se si do të figurojmë pas një viti! Dhëntë perëndia mos iu mbushte mendja PD-së të na i faktojë në gjyq akuzat që na ka hedhur mbi shpinë, se pastaj…

E ç’pastaj, zeza, ma kthen e nervozuar gruaja. Thuaj rroftë 22 marsi, mbyll gojën dhe uro zotin që shpëtuam pa ndonjë sy të hequr!

I bindem! RROFTË 22 MARS! ZOTI E BEKOFTË BERISHËN, MEKSIN, ARBNORIN, PD-në, RD-në dhe çdo organizatë apo parti që bekon Presidenti. Në gjoksin tim nuk ka më asnjë gisht vend për të varur të tjera medalje të fëlliqura.

*Gazeta “Aleanca”, e martë, 22 Mars 1994