Në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri rezultojnë shumë pranë mesatares së Bashkimit Evropian, duke e pozicionuar vendin në një zonë të ndërmjetme mes Ballkanit Perëndimor dhe tregut europian.
Sipas të dhënave krahasuese ku mesatarja e BE-së është vendosur në nivelin 100, Shqipëria regjistron një indeks prej 98.7, vetëm 1.3 për qind më poshtë se mesatarja europiane. Ky nivel e vendos vendin dukshëm mbi fqinjët rajonalë jo-anëtarë të BE-së, ndërsa njëkohësisht mbetet më i ulët se çmimet e ushqimeve në disa ekonomi të mëdha të Unionit.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shfaq çmime më të larta të ushqimeve. Serbia renditet me një indeks prej 95.7, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina ndodhen ndjeshëm më poshtë, përkatësisht në 82.6 dhe 82.5. Diferenca bëhet edhe më e thellë me Maqedoninë e Veriut, e cila ka një indeks prej vetëm 73.0, duke reflektuar një kosto ushqimore shumë më të ulët se ajo shqiptare. Edhe Turqia, e përfshirë shpesh në analizat rajonale, paraqet çmime më të ulëta me një indeks 75.7.
Në krahun tjetër, Shqipëria afrohet shumë me disa vende anëtare të BE-së në rajon. Sllovenia regjistron një indeks prej 99.3, praktikisht në të njëjtin nivel, ndërsa Kroacia e ka kaluar lehtë mesataren europiane me 100.5. Greqia dhe Italia shfaqen dukshëm më të shtrenjta, me indekse përkatësisht 105.1 dhe 104.0, por hendeku me Shqipërinë mbetet relativisht i ngushtë në raport me diferencat e mëdha të të ardhurave mes këtyre vendeve.
Ky pozicionim tregon se Shqipëria po përjeton një proces të shpejtë konvergjence të çmimeve të ushqimeve me Bashkimin Evropian, më të shpejtë se ritmi i afrimit të të ardhurave. Si pasojë, ndonëse në terma statistikorë çmimet janë pak nën mesataren e BE-së, pesha reale e ushqimeve në buxhetin familjar mbetet më e rëndë krahasuar me shumicën e vendeve të Unionit.
Në raport me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet ndër vendet me koston më të lartë të ushqimit, duke reflektuar jo vetëm presione inflacioniste, por edhe struktura tregu dhe zinxhirë furnizimi që ende nuk arrijnë të ofrojnë avantazhe të krahasueshme me fqinjët rajonalë.
Në këtë kontekst, të dhënat nënvizojnë se sfida kryesore për ekonominë shqiptare nuk lidhet vetëm me nivelin absolut të çmimeve, por me raportin e tyre ndaj fuqisë blerëse. Ndërsa vendi afrohet gjithnjë e më shumë me standardet e çmimeve të BE-së, hendeku i të ardhurave vazhdon të mbetet i gjerë, duke e bërë koston e ushqimit një nga faktorët kryesorë të presionit mbi mirëqenien e familjeve shqiptare.







