Janë siguruar pamjet filmike të momentit të plagosjes me armë zjarri të Fabion Kuçit, i njohur në rrjetin social TikTok me nofkën “Gucci”, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në një lokal në qytetin e Durrësit.
Sipas pamjeve, Kuçi ndodhej në ambientet e lokalit kur autori i armatosur është futur brenda dhe i ka drejtuar armën. I kapur nga paniku, ai ka tentuar të fshihet pas një shoku që ndodhej pranë tij, ndërsa autori ka vijuar t’i afrohet.
Në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, Kuçi ka vrapuar duke kaluar nga pjesa e banakut të lokalit. Gjatë të shtënave, ai ka mbetur i plagosur në dorë. Fatmirësisht, burime bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë atentat. Vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.







