Mjetet green vijojnë të rrisin dominimin e tyre në rrugët e Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se flota e mjeteve elektrike në vend po njeh një rritje të ndjeshme. Qytetarët duket se po orientohen gjithnjë e më shumë drejt transportit të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë periudhës Janar–Nëntor 2025 janë regjistruar për herë të parë gjithsej 5.312 mjete All-Electric, një shifër që tregon një interes gjithnjë e më të lartë të qytetarëve për teknologjitë e pastra.
Ndërkohë, kjo rritje përfaqëson një zgjerim prej 82.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke konfirmuar trendin pozitiv drejt përdorimit të mjeteve ekologjike dhe reduktimit të ndotjes në transportin rrugor. Gjithashtu, këto shifra dëshmojnë një transformim në kulturën e transportit në vendin tonë dhe reflekton interesin e qytetarëve për alternativat e gjelbra të transportit.
Nga ana tjetër, shtimi i automjeteve elektrike në qarkullim kontribuon drejtpërdrejt në uljen e emetimeve të dëmshme dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Me gjithnjë e më shumë mjete green në rrugët tona, vendi po ecën drejt një sistemi transporti më të pastër, më të qëndrueshëm dhe më miqësor me mjedisin, duke ndjekur standardet bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm, për një të ardhme më të mire edhe të brezave të ardhshëm.







