Ballina Kronika Gjykata e Durrësit liron ish efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj

Gjykata e Durrësit liron ish efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj

59
0

Lirohet nga burgu, Arbër Paplekaj, ish oficeri i RENEA-s. Burime bëjnë me dije se gjykata e Durrësit liroi Arbër Paplekajn me kusht.

Ish efektivi kishte paraqitur kërkesën për lirimin e tij nga qelia në Gjykatën e Durrësit.

Në kërkesën e tij, ish-efektivi i RENEA-s ka argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit. Seanca është planifikuar të zhvillohet më 16 Korrik.

Gjykata e Apelit me një vendim të datës 1 korrik 2024, e kishte dënuar  me 7 vite burg ish-efektivin e RENEA-s.

Togat e zeza ndryshuan akuzën ndaj tij nga “Vrasje në rrethana cilësuese”, në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.

Po kështu, Apeli në atë kohë dha pafajësi për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Për ta, Gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove. Të pafajshëm u shpallën edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i PS, ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale për të mbrojtur votat, ku ndaluan makinën e Mehmet Greçës, pasi ai kishte në mjet jo vetëm para për të shpërndarë për blerje votash, por madje edhe listat e zgjedhësve.

Ky i fundi u tha se thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbërriti aty dhe fatkeqësisht humbi jetën në atë shkëmbim zjarri. Policia dhe prokuroria e Elbasan thanë se gjithçka ndodhi pas një sherri verbal mes palëve, ku u vra Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.