Kontrolle u kryen sot në shtëpinë e ministres franceze të Kulturës, Rachida Dati si dhe në minibashkinë e një lagjeje të Parisit që ajo drejton, si pjesë e një hetimi për korrupsion.
Ministrja, e cila është gjithashtu kandidate për kryetare bashkie të Parisit, dyshohet se ka marrë 299 000 euro në tarifa nga grupi industrial francez ”GDF Suez” kur ishte anëtare e Parlamentit Evropian, pa deklaruar burimin e fondeve në PE.
”Hetimi gjyqësor është hapur veçanërisht për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv, ushtrimit të ndikimit, përvetësimit të fondeve publike, marrjes së mallrave të vjedhura dhe pastrimit të parave që lidhen me këto vepra penale në lidhje me ushtrimin e mandatit të Rachida Dati”, shkroi prokurori financiar, Jean-François Bohnert, në një deklaratë.
Raporti i sotëm përmend “operacione kërkimi që synojnë vende të ndryshme, duke përfshirë minibashkinë 7 të Parisit dhe Ministrinë e Kulturës si dhe banesa private”.
”Këto operacione janë pjesë e një hetimi gjyqësor të hapur më 14 tetor dhe të besuar dy gjyqtarëve hetues nga divizioni ekonomik dhe financiar i Gjykatës së Parisit”, vazhdon raporti, duke konfirmuar informacionin nga “Le Nouvel Obs” dhe programi ”Complement d’Enquete” në ”France 2”, i cili zbuloi historinë.
Hetimi po kryhet nga Zyra Qendrore për Luftën Kundër Korrupsionit.







