Banka e Shqipërisë publikoi kalendarin e ndërhyrjeve në tregun valutor për vitin 2026, duke parashikuar blerje eurosh në vlerë 330–450 milionë euro, një rritje me rreth 100 milionë euro krahasuar me objektivin e këtij viti. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është përforcimi i rezervës valutore dhe stabilizimi i kursit të këmbimit në tregun e brendshëm.
Nga 26 ankandet e planifikuara, më shumë ndërhyrje pritet të kryhen gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve rrit disponueshmërinë e euros në vend. Muaji korrik shënon numrin më të lartë të ankandeve, me 5 ankande, ndërsa gjatë sezonit veror priten gjithsej 12 ndërhyrje.
Blerjet e planifikuara ndahen në dy lloje: 9 ankande FORWARD, ku euro blihen në një datë të ardhshme me kurs të përcaktuar paraprakisht, dhe 17 ankande SPOT, ku euro blihen sipas kursit të ditës së ankandit.
Sipas Bankës Qendrore, këto masa synojnë stabilitet të kursit, mbrojtjen e rezervës valutore dhe një ambient financiar të qëndrueshëm, duke përgatitur tregun për sfidat dhe nevojat e vitit të ardhshëm.







