Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur të enjten në një samit në Bruksel, për të vendosur për mënyrën e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për plotësimin e nevojave ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer sulme me dronë gjatë natës.
Samiti i BE-së vjen një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i kritikoi ashpër udhëheqësit e bllokut, duke përdorur një fjalë që mund të përkthehet si “derra të rinj”, dhe përsëriti pohimet se Moska do t’i arrijë qëllimet e luftës së saj në Ukrainë me forcë, nëse një nismë e Shteteve të Bashkuara për paqe nuk prodhon ndonjë marrëveshje që plotëson kërkesat ruse.
Forcat ruse nisën një sulm masiv me dronë ndaj qytetit qendror Çerkasi, duke plagosur gjashtë njerëz, thanë autoritetet. Ihor Taburets, kreu i administratës ushtarake rajonale, tha se forcat ruse goditën infrastrukturë kritike, duke lënë një pjesë të qytetit pa energji elektrike.
Sulmet gjatë natës ndërprenë furnizimin me rrymë për më shumë se 180.000 banorë në rajonet Çerkasi, Mikolaiv, Zaporizhja, Sumi dhe Dnipropetrovsk, por energjia elektrike ishte rikthyer për shumicën e tyre, tha ministri në detyrë i Energjisë, Artem Nekrasov.
Rusia ka goditur infrastrukturën energjetike dhe elektrike që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, dhe forcat e saj i kanë intensifikuar këto sulme këtë vjeshtë teksa nisjen e ftohjes së motit.
“Rusia e ka sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës 4.500 herë gjatë vitit 2025”, tha ai.
Këto sulme po ndodhin në një kohë kur udhëheqësit e Bashkimit Evropian po përgatiten të vendosin nëse do ta miratojnë një kredi disa miliardë euroshe, e mbështetur nga asetet e ngrira ruse, për të siguruar financim për Kievin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në takimin dhe u tha gazetarëve se, pa një rezultat pozitiv, “Ukraina do ta ketë një problem të madh”.
Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave, ka frikë se plani mund ta lërë atë të cenueshme ligjërisht, dhe edhe vende të tjera, përfshirë Italinë, kanë shprehur dyshime.
“Tani kemi një zgjedhje të thjeshtë – ose paratë sot, ose gjaku nesër. Dhe, nuk po flas vetëm për Ukrainën, po flas për Evropën”, tha kryeministri polak Donald Tusk, teksa udhëheqësit e BE-së mbërritën në samitin në Bruksel.
“Ky është vendim që duhet ta marrim ne, dhe vetëm ne”, shtoi ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se nuk do të largohej nga samiti pa një marrëveshje për mënyrën se si të financohet Ukraina gjatë dy vjetëve të ardhshme.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e bëri një paralajmërim të ashpër më herët këtë javë.
“Nëse nuk ia dalim mbanë për këtë, atëherë aftësia e Bashkimit Evropian për të vepruar do të dëmtohet rëndë për vite me radhë, nëse jo më gjatë, dhe do t’i tregojmë botës se jemi të paaftë të qëndrojmë të bashkuar dhe të veprojmë në një moment kaq vendimtar të historisë sonë”, tha ai.
Në një fjalim gjatë një aktiviteti vjetor të Ministrisë së Mbrojtjes më 17 dhjetor, Putin u përpoq të fajësonte paraprakisht Evropën dhe Ukrainën për çdo dështim të përpjekjeve për paqe, duke thënë se Rusia do të marrë më shumë territor me forcë nëse Kievi dhe udhëheqësit evropianë, të cilët ai i përshkroi si “derra të rinj”, nuk kanë qasje të duhur ndaj propozimeve të SHBA-së.
“Nëse pala kundërshtare dhe mbështetësit e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do ta arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake”, tha Putin, duke hedhur poshtë çdo propozim që kërkon nga Moska të bëjë lëshime territoriale.
Moska kontrollon gati një të pestën e Ukrainës, dhe zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se nuk do të bëjnë kompromis për pesë rajonet ukrainase që Putin, pa asnjë bazë, pretendon se janë ruse.







