Ballina Aktualitet Mosfunksionimi i SelfCare dhe e-Albania, prej 2 ditësh aktiviteti i bizneseve është...

Mosfunksionimi i SelfCare dhe e-Albania, prej 2 ditësh aktiviteti i bizneseve është bllokuar

23
0

Janë të shumta bizneset dhe kontabilistët që ngrenë shqetësimin pranë Monitor se prej dy ditësh po përballen me probleme në përdorimin e platformës SelfCare nëpërmjet të cilës kryejnë veprimet administrative online.

Njëzëri si bizneset dhe kontabilistët pohojnë se gjatë tentativave për akses, sistemi nuk lejon hyrjen dhe shfaq mesazhin “Ju lutemi kontaktoni administratorin”, duke e bërë platformën të papërdorshme. Teksa e-Albania është e ngadalshme, shfaq gabime apo mungesë interneti.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) e kontaktuar nga Monitor pohoi se sistemi funksionon.

Ky problem teknik ka sjellë pezullimin e punës së kontabilistëve bizneseve , të cilët e kanë të pamundur të kryejnë deklarime, aplikime dhe shërbime të detyrueshme ligjore.

“Po përdor SelfCare për të nxjerrë faturat, por më shfaqet mesazhi “Kontakto Administratorin”. Ky problem ka disa ditë dhe nuk më lejon të punoj normalisht. Gjithashtu, e-Albania po funksionon shumë ngadalë, ose tregon që nuk ka lidhje interneti, ose shfaq gabim gjatë aplikimit.

Para disa ditësh aplikova për hapjen e një NIPT për SHPK, ku regjistrimi u krye për NIPT-in dhe për pronarin përfitues. Megjithatë, pjesa për pronarin përfitues nuk u regjistrua siç duhet. Kam provuar ta rishkruaj pronarin përfitues nga fillimi, por problemi vazhdon”, pohoi për Monitor Igli Çarçani nga “Çarçani Consulting”.

Situatë është e ngjashme edhe për një tjetër biznes.

“Ka 2 ditë rresht që sistemi Selfcare (Platforma Qendrore e Faturave e Administratës Tatimore) nuk funksionon, sapo futen kredencialet, sistemi tenton të hapet, por nxjerr një tabelë penguese “Ju lutem kontaktoni administratorin””, pohon një tjetër përfaqësues biznesi.

Edhe kontabilistët janë ankuar se sistemi nuk funksionon si duhet, duke penguar aktivitetin e tyre të përditshëm dhe krijuar vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ligjore.

“Unë kam 3 kontrolle tatimore më kërkojnë faturat e blerjeve dhe të shitjeve të ditës së sotme nuk arrij të nxjerr blerjet/ Madje nuk punojnë as programet e shitjeve”, pohon Nevila Sadiku kontabiliste.

Sipas kontabilistëve vonesat ose gabimet në sistem mund të ndikojnë negativisht në operacionet e tyre. “Duhet edhe të përmendet që është kërkesë e vazhduar në institucione. Ne kemi adresuar kërkesë me shkrim për mosfunksionimin e sistemit”, pohon Arbërora kontabiliste e miratuar.

Kontabilisti Erjon Saraçi gjithashtu nënvizon se prej disa ditësh, mosfunksionimi i platformës Self-Care ka krijuar një situatë problematike për profesionistët e kontabilitetit dhe për vetë bizneset në vend.

“Gjatë tentativave për akses, sistemi nuk lejon hyrjen dhe shfaq mesazhin “Ju lutemi kontaktoni administratorin”, duke e bërë platformën të papërdorshme. Ky problem teknik nuk është thjesht një pengesë teknologjike, por ka sjellë pezullimin e punës së kontabilistëve, të cilët janë të pamundur të kryejnë deklarime, aplikime dhe shërbime të detyrueshme ligjore.

Si pasojë direkte, edhe aktiviteti i bizneseve që varen nga këto shërbime është bllokuar, duke rrezikuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve ligjore, penalitete financiare dhe cenim të vazhdimësisë normale të veprimtarisë ekonomike.

Platforma Self-Care është një mjet thelbësor për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ, ndaj mosfunksionimi i saj përbën një problem serioz institucional, që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Profesionistët dhe bizneset presin një reagim të shpejtë dhe transparent nga institucionet përkatëse, në mënyrë që puna të rikthehet në normalitet dhe të shmangen pasojat e mëtejshme”.

Edhe individët raportojnë se po hasin probleme me funksionimin e-Albania për shërbimet nëpërmjet platformës së tatimeve./vna