Një projekt i veçantë shkencor sjell një krahasim interesant mes botës shumë të madhe dhe asaj shumë të vogël.
I kuruar nga Observatori me rreze X Chandra i NASA-s, projekti paraqet çifte imazhesh që tregojnë lidhje mahnitëse mes universit të pafund dhe botës mikroskopike, të cilën nuk mund ta shohim me sy të lirë.
I quajtur “New Perspectives”, projekti merr imazhe të hapësirës dhe i vendos krah për krah me imazhet fituese nga konkursi Nikon Small World, një garë vjetore falas për mikroskopinë.
Ndër shembujt më të spikatur është një grumbull yjesh të rinj, i quajtur “Grupi i Pemës së Krishtlindjes”, i krahasuar me fibra kolagjeni dhe qeliza dhjamore të fotografuara me mikroskop lazer.
Një tjetër dyshe mbresëlënëse tregon Diellin në dritë ultravjollcë të gjelbër, krahas algave Volvox, të cilat formojnë koloni sferike dhe jetojnë e lëvizin së bashku në një pikë uji.
“Qoftë kur studiojmë një grumbull galaktikash miliona vite-dritë larg, apo formime kristalesh në shkallë mikrometrike, këto imazhe na kujtojnë bukurinë dhe kompleksitetin e përbashkët që përkufizojnë botën natyrore,” tha dr. Kimberly Arcand, shkencëtare e vizualizimit dhe teknologjive të reja në Chandra, e cila udhëhoqi projektin.







