Ballina Politika Përplasjet në Kuvend, Grupi i PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të...

Përplasjet në Kuvend, Grupi i PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të PD nga seancat plenare

22
0

Grupi Parlamentar i PS i ka kërkuar Kuvendit marrjen e masave disiplinore ndaj 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve të ndodhura në seancën plenare të ditës së sotme.

PS ka kërkuar përjashtimin nga punimet e Kuvendit me 60 ditë për deputetët Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Fidel Kreka, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, Klevis Balliu, dhe Flamur Noka.

Gjithashtu PS kërkon përjashtimin për 30 ditë nga punimet e Kuvendit për deputetët e tjerë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi.

Përjashtim me 10 ditë nga punimet në Kuvend është kërkuar për deputetët e tjerë, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.

Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.

Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.