Nga Pëllumb Verka
Viti 1984. Atmosferë festive në Shqipëri. Do festohet me madhështi 40 vjetori i formimit të Ushtrisë Popullore. Ramiz Alia me shokë i kishin propozuar Enver Hoxhës të vishej për herë të parë ushtarak. Duke marrë shembull nga Tito, i cili jo vetëm për parada por edhe në evente të tjera vishej ushtarak, me uniformën unikale të Gjeneralisimit. Enveri akoma nuk kishte dhënë përgjigje. Por masat duheshin marrë që të mos kapeshin “gafil”. Dhe të mos harrojmë se jemi në vitin 1984, ndërsa Enveri në 1985 vdiq. Por, që nga 1983 kishte filluar të “lajthisë”. Unë kisha tre vjet që isha i komanduar të punoja në Bankën e Shtetit për modelet e kartëmonedhave të Shqipërisë. Por kjo është histori me vete që do e tjerrim në një numër tjetër. Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike më thërret në zyrë dhe më thotë:
-Dëgjomë mirë, mor djalë, ka një propozim që shoku Enver mund të vishet ushtarak me rastin e 40-vjetorit të Ushtrisë Popullore, prandaj e biseduam edhe me shokët lart, që meqenëse jemi duke përgatitur modelet e kartëmonedhave për t’i prodhuar ato në Shqipëri, ta bëjmë edhe një kartëmonedhë të bukur, me portretin e shokut Enver, por të veshur ushtarak. Ç’mendim ke ti si piktor?
-Dakord – iu përgjigja, unë po e realizoj të veshur me uniformën e Gjeneralit, e cila është njësoj si ajo jugosllave, ashtu edhe ajo sovjetike. Kostumi i bardhë, i kompletuar me spaleta, shirita tek krahët (mëngët), stema tek jaka si edhe kapela e qëndisur me shirita e stema të arta.
Modelin e përgatita për pesëmbëdhjetë ditë dhe si fillestar që isha në këtë proces e realizova deri diku mirë. Ata e pëlqyen realizimin si në faqen e parë ashtu edhe në atë të pasmen. Tani mbetej vetëm që t’ia propozonin Enver Hoxhës. Punën e bëja në Bankën e Shtetit, por rrogën e merrja në Shkollën e Kuadrove Rezerviste, demek sikur jepja mësim në atë shkollë. Por, kisha një detyrim që duhej të paraqitesha dy herë në muaj nga tri ditë për të realizuar aty stendat e emulacionit ose ndonjë kënd partie. Këto ditë zakonisht korrespondonin me tri ditët e para të javës. Në këtë kuadër të festimit të 40-vjetorit të formimit të Ushtrisë Popullore kishte dalë edhe një problem tjetër. Përveç uniformës së Enver Hoxhës si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë duheshin përgatitur dhe dekoratat. Uniformë pa dekorata të oficerit përkatës nuk kishte në botë, si në vendet Perëndimore ashtu edhe në ato të Lindjes. Në diskutimet e Anëtarëve të Byrosë Politike për këto përgatitje, Ramiz Alia i drejtohet Prokop Murrës, ministër i Mbrojtjes i asaj kohe: -Ju të ushtrisë sikur keni një repart që prodhoni dekorata për oficerët?
-Po, i tha Prokopi – e kemi pasur, por meqenëse e plotësuam ushtrinë me dekorata, e mbyllëm.
-Po at’here, si do i sigurojmë dekoratat për shokun Enver?
-Po, ne kemi specialistin, shoku Ramiz, i cili vërtet ka qenë shef reparti, por duart i ka flori dhe i realizon vet dekoratat.
-Bukur – vazhdoi Ramizi – merrni masa, shoku Prokop që së bashku me shokun Rita Marko (Rita Marko ishte në atë kohë Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullorë, si Presidenti sot) të siguroni dekoratat. Ty shoku Rita, të të sjellë shoku Prokop atë specialistin dhe të merrni masa që çdo gjë të jetë gati në kohë.
-Patjetër, shoku Ramiz. E zgjidh unë me shokun Prokop këtë problem.
Koinçidoi që ditën e hënë kur isha paraqitur në Shkollën e Rezervistave, në mëngjes po pinim kafe me Bajram Haxhiun, një nënoficer, zotni burrë, i hedhur dhe gazmor. Kafen e kishim përgatitur me “takëmet” që Bajrami mbante në zyrën e tij. Vjen oficeri i rojes dhe më thotë: Pëllumb, të kërkon në zyrë në divizion shoku Dedë Gjergji (Deda ishte Komisari i Divizionit me zyra tek rrëza e malit të Dajtit, sipër Institutit të Fizikës Bërthamore).
-Ika – i thashë Bajramit. Meqenëse shkolla ishte tek Reparti 3700, i binte që Divizioni të ishte në një krah me të, kështu që shkova në këmbë pa asnjë problem. U paraqita te sekretari, i cili më tha:
– Prit pak, se ka të tjerë brenda. U boshatis zyra e Dedës (unë njihesha mirë me Dedën sepse kisha punuar me të në degën Operative të Divizionit për hedhjen e situatave në hartë, në kohën kur aty ishte shef, i talentuari, ushtaraku me diplomë italiane, Vangjel Priftanji.
U ngrit sekretari, eja më tha, i ra derës dhe pasi e hapi përgjysmë, i tha Dedës, erdhi ai djali sipas porosisë tuaj.
-Eja, eja Pëllumb – tha Deda dhe u ngrit në këmbë. Sekretari mbylli derën. Ne ishim vetëm.
-Dëgjo këtu – tha Deda – nesër në orën nëntë të jesh në Presidiumin e Kuvendit Popullor (atje ku sot është Presidenca, një godinë e ndërtuar nga sovjetikët për të pasur ambasadën e tyre), të pret shoku Rita Marko. Kujdes me orarin, një çerek ore para të jesh atje. Është çështje me rëndësi, kështu mos e bisedo me asnjë njeri.
-Dakord – iu përgjigja.
-Hajt, suksese, më përcolli Deda, një burrë babaxhan dhe i qeshur (kishte dhe humor dreqi).
Të nesërmen, në orarin e caktuar isha përpara portës së Presidiumit. Punonjësi civil i shërbimit më pyeti:
-Ti je Pëllumb Vreka që pret shoku Rita?
-Po, ia ktheva unë, i tëri.
-Eja me mua – tha – dhe u futëm në godinë. Ndaluam te dhoma ku ishte një sekretar i Ritës të cilit punonjësi civil i tha:
-Këtë shokun e pret shoku Rita, prandaj ja ku e ke dhe iku.
Sekretari ngriti receptorin e telefonit, foli diçka si nëpër dhëmbë dhe më pas m’u drejtua mua:
-Futu, futu vetë, shoku Rita po të pret.
Trokita dhe e hapa derën përgjysmë duke u futur brenda.
-Hajde këtu, mjeshtër se kështu të quan shoku Prokop, ulu, të të sjellim një kafe?
-Jo, jo i thashë – faleminderit (unë isha i shushatur dhe kureshtar se përse mund të më kishte kërkuar një anëtar i Byrosë Politike, për më tepër kryetari i Presidiumit).
-Epo mirë, at’here t’i hyjmë punës. Ka një mendim sikur shoku Enver mund të vishet ushtarak në kuadër të festimeve të 40-vjetorit të formimit të Ushtrisë, por duhen edhe dekoratat. Shoku Prokop na rekomandoi se ti je mjeshtër dhe mund t’i realizosh vet dekoratat.
-Po – ia preva unë me “guxim” – i realizoj vet, bile edhe më të mira se ato sovjetiket që janë me letër plastmasi sipër apo ato Perëndimoret që janë vetëm me fije peri me ngjyra (mouline). Ne- vazhdova unë – i kemi bërë me peçiklas të vendosura në shina llamarine, shumë më të paraqitshme.
-Bukur – vazhdoi Rita – Përsa kohë i realizon dekoratat për shokun Enver? -Për katër ditë ato janë gati – iu përgjigja.
-Shumë mirë, bravo! Do të të japim një makinë në dispozicion që të lëvizësh e të shkosh ku ta kërkojë nevoja (në oborr priste një Fiat 1500, i bardhë së bashku me shoferin brenda). Pra, ti përgatit një dekoratë me dymbëdhjetë copë, (këtë dekoratë të përgatitur nga unë, sot e ka në arkivin e tij, i ndjeri Artan Lame).
-Dakord, i thashë, dhe u nisa për të dalë, kur u afrova tek dera më tha:
-Prit, prit, more, po nuk dimë se çfarë dekoratash ka shoku Enver, ulu, ulu aty sa të marrim listën. Ngriti telefonin dhe pasi foli me dikë, m’u drejtua mua:
-E shihni, mor djalë, se ç’ndodh kur ngutesh, harron më kryesoren. Pasi më pyeti edhe për punët e tjera të mijat, si për modelet e kartëmonedhave dhe uniformat e ushtrisë, koha kaloi dhe hyri një civil me kostum të zi. I vuri përpara një shkresë të daktilografuar me një listë prej dymbëdhjetë emërtime dekoratash.
-Merri – shoku Pëllumb – i ke gati. Suksese!
Pas katër ditëve, pasi edhe boja ishte tharë, me dekoratën e Enver Hoxhës u paraqita te Presidiumi, ku sigurisht që më priti menjëherë Rita Marko se e kishte me merak këtë punë, po ishte dhe kurioz. I mori në dorë, i shikonte me kërshëri. Bravo, të lumtë, tha pas disa sekondash, jashtëzakonisht të bukura i ke bërë, edhe njëherë të lumshin duart.
Më vonë mora vesh nga Hakiu që edhe Enveri, pasi i kishte parë në dorë dekoratat i ishte drejtuar Sokolit (të birit), falënderojeni edhe nga ana ime këtë djalin, qenka me të vërtetë i talentuar. Dihet që Enveri as ushtarak nuk u vesh, po ashtu edhe dekoratat nuk i vuri. Helbete, nuk kishte mendje se edhe vdekja po i vinte vërdallë. Pas katër ditë punë intensive, akoma nuk isha paraqitur në punë, as në Bankë e as në Shkollën e Rezervistave. U përgatita për të shkuar të nesërmen, kur aty nga ora 6 pasdite, më vjen shoferi me “Fiat”-in në shtëpi dhe më thotë:
-Vishu shpejt se po të pret shoku Rita në zyrë, në Presidium. U vesha shpejt e shpejt me kostum e kollare si gjithnjë dhe u nisëm me Gimin drejt Presidiumit. Pa vonesë më çuan te Rita.
-Ulu, ulu – tha Rita, kemi një punë tjetër për ty. Pak si me gjysmë zëri i them – shoku Rita nuk kam shkuar akoma në punë?
-Mos u merakos, mor djalë, ato punë i di Komisari i Divizionit, mos u shqetëso. Tani dëgjo, se prapë te shoku Prokop u përplasëm për një problem të tjetër. Shoku Haxhi Lleshi është firmëtar i Librezave të Dekoratave por ai ndodhet në Paris për një problem shëndetësor dhe nuk mund t’i firmosi, as mund t’ia çojmë për firmë në Paris. Neve, si Presidium, me rastin e festave të Nëntorit na duhet të firmosim rreth pesëdhjetë copë libreza, a mund t’i firmosësh ti duke imituar firmën e shokut Haxhi Lleshi?
-Të shoh njëherë firmën e Haxhiut dhe pastaj iu them nëse po apo jo. Sollën një librezë me firmën e tij dhe pashë se shoku Haxhi kishte një firmë të thjeshtë, jo si intelektualët e sotëm me shkarravina dhe iniciale. Shoku Haxhi kishte një firmë të përfaqësuar nga emri dhe mbiemri i tij, por të stilizuar bukur.
-Po, i them shokut Rita, e bëj origjinale pa asnjë problem. Ngarkuam librezat në makinë dhe i punova në shtëpi. Të nesërmen erdhi ‘Fiati’ dhe librezat e firmosura i kthyem përsëri në Presidencë te Rita i cili mbeti i habitur kur i pa. Origjinale- tha- edhe vet shoku Haxhi Lleshi nuk ka për ta dalluar që këto nuk janë firmat e tij! Dhe vërtet kur Haxhiu u kthye nga Parisi dhe i treguan se çfarë kishte ndodhur me firmën e tij, u habit.
Nejse, pasi i dorëzova dhe po largohesha, shoku Rita më tha- shoku Pëllumb, do shihemi përsëri, por po të kesh nevojë për diçka, eja direkt tek unë. Pas disa vjetësh, ashtu si Haki Toska, Adil Çarçani edhe Rita Marko më ftoi për drekë në shtëpi.
Pjesa e dytë, (komike)
Ditën e hënë u paraqita në punë. Si zakonisht u rreshtuan rezervistët dhe krah tyre edhe oficerët. Komandanti i shkollës, Vasil Trajko, një burrë zotni sa më pa në rresht, urdhëroi:
-Rezervistët në klasa kurse oficerët në zyrën time. U futëm në zyrë, zumë vend nëpër karrige dhe pas disa minutash erdhi Vasili, Komandanti i Shkollës. E nuhata qysh përjashta se inatin e kish me mua, sepse pasi shkroi diçka m’u drejtua:
-Çohu ti, më tha. U çova në këmbë.
-Ke një javë që nuk je paraqitur në punë! Faktikisht, asnjë nuk e dinte se ku kisha qenë, përveç Bajramit që dinte se isha thirrur nga Komisari i Divizionit. Por edhe ai nuk e kishte vrarë mendjen shumë për ta biseduar me të tjerë. Prandaj edhe komandant Vasili nuk e kishte haberin fare ku kisha qenë, e ku kisha “kullotur” unë ato ditë.
-Kisha një punë – iu përgjigja unë si trimosh, se helbete i kisha shpatullat e ngrohta.
-Çfarë pune, more, puna jote është këtu dhe në Bankë, bile edhe në Bankën e Shtetit nuk ke qenë, at’here ku ke qenë? Unë prapë, serbes- serbes, i them që kisha një punë dhe kaq!
-Shumë mirë, vazhdoi Vasili – e dëgjuat të gjithë besoj qëndrimin që mban ky shok para komandës. Të gjitha ditët e punës t’i kam prerë nga rroga, i ke të pajustifikuara. Lekët do të të mbahen nga rroga.
-Ti më mban rrogën, unë të shkarkoj nga detyra – iu përgjigja unë flakë për flakë.
Vasili, i habitur kapsalliti sytë u kthye nga oficerët dhe me një mllef të papërmbajtshëm vazhdoi:
-I ke trutë në vend ti apo të ka marrë koka erë! Jo, i thashë, ta them prapë po deshe.
-Ashtu – tha Vasili, do ta shohim këtë kapadaillëkun tënd, fluturon ti nga ushtria apo jo?
-Oficerët të shkojnë në mësim, tha dhe doli përjashta me vrull, i hipi makinës dhe u nis në drejtim të Divizionit, ku frymën e mbajti te Komandanti, Dhimitraq Germani!
-Kam një problem madhor, i tha ( këto biseda i mora vesh më vonë nga Germani e nga Deda), një oficer, Pëllumb Vreka, përpara të gjithë oficerëve më tha që unë të shkarkoj nga detyra, sepse unë i preva gjashtë ditë nga rroga për mungesat që kishte bërë.
German pasi e dëgjoi, mirë e mirë, Vasilin, qetësisht iu përgjigj:
-Vasil, mos më ngatërro mua me Pëllumb Vrekën, shko tek Komisari, shoku Dedë e sqarohu, ai merret me të. Unë për vete, njëherë që u mora me të, më thirri urgjent zëvendësministri, shoku Jaçe Lula dhe më tha: Mos u merr me Pëllumbin se do të të çoj të shikosh se si punon në Bankë.
Vasili doli nga Germani dhe i vajti në zyrë Dedës. Vetëm pasi i tregoi të gjithë historinë se si ndodhi ngjarja, u ul, sepse Deda akoma nuk i kishte dhënë leje të ulej.
-Mbarove Vasil, – iu kthye Deda – qetësohu dhe dëgjo me vëmendje! (këtë bisedë ma tregonte Deda, kur pinim kafe pas shumë vitesh tek “Tregu Çam” ku ai kishte shtëpinë).
-Që Pëllumbi të shkarkon, siç të ka thënë, të shkarkon përnjimend, sepse ti nuk e di se ku ka qenë ai, se ç’ka bërë e si i ka bërë ai gjithë këto ditë. Ai – vazhdoi Deda, ka qenë në dispozicion të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, personalisht të shokut Rita Marko. E kupton ti? -Si urdhëron, ia ktheu Vasili.
-Tani duhet të kuptosh edhe këtë tjetrën, vazhdoi Deda me të vetën.
-Sikur të ankohet Pëllumbi tek shoku Rita dhe ai të më marrë mua në telefon e të më thotë:
-Ç’e ke atë gomar që mbani atje në punë, unë jam i detyruar të të shkarkoj. Prandaj, me Pëllumb Vrekën mbaje mirë, siç e mbajmë edhe ne. Tani i kuptove të tëra?
-Si urdhëron – iu përgjigj Vasili – A të iki unë tani?
-Ik, ik o Vasil por… me qetësi! Të nesërmen në mëngjes, pra të martën e javës, sa hyra në oborrin e Shkollës së Rezervistëve, më del përpara Bajrami.
-Pëllumb – më tha, duke qeshur dhe fërkuar duart- të pret Komandant Vasili te lokali i Shkollës. Lokali ishte një bar-kafe tipike e kohës, por që serviste edhe ato qoftet dhe salçiçet e famshme shoqëruar me panine dhe birrë. Ky lokal u shërbente edhe reparteve të tjera si Spitali i Bazës, Regjimentit të Ndërlidhjes dhe Shkollës së rezervistave.
Shkova tek lokali dhe gjej komandant Vasilin në një nga ato tavolinat e gjata që shërbeheshin në këmbë, pa ulje sepse atëhere nuk kish kohë për cigare, kafe e llogje. Në tavolinë ishin dy pjata me nga tre salçiçe secila, panine dhe aty pranë edhe dy shishe birrë.
-Po ti eja, or mik- m’u drejtua Vasili- pse nuk thua që ishe me ata “lart” se kështu edhe unë nuk do të ngutesha. Eja, eja të pimë nga një birrë për suksesin e punës tënde.
Kështu, që pas asaj dite me Vasilin u bëmë miq. Kur kisha grafikun që duhej të ikja nga Banka e Shtetit ku punoja dhe të shkoja në Shkollë, pa diskutim që salçiçet dhe birrën i kisha… të paguara! Kjo ishte historia e dekoratave të Enver Hoxhës, një histori sa serioze e delikate, aq edhe gazmore nga fundi, por, që janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Autori, drejtor i Revistës “Hosteni”







